
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria po i ‘lufton’ çmimet e naftës duke i detyruar bizneset të shesin me humbje.
Ai paralajmëroi se punëdhënësit dhe sidomos bizneset në vend janë në prag kolapsi, rrjedhimisht ekonomia e vendit në tërësi.
“Shteti funksional është në rrezik”, tha ai.
“PSE? Çmimi i naftës dhe obligimet fiskale janë bërë të papërballueshme për secilin punëdhënës. Çdo ditë pa veprime konkrete në këtë situatë të pazakontë po i shtyn ndërmarrjet drejt mbylljes dhe po rrezikon mijëra vende pune. Kjo qeveri po përpiqet të “luftojë” çmimet duke i detyruar bizneset të shesin me humbje. Kjo nuk është zgjidhje, por është recetë për falimentim”.
Shtetet serioze nuk bëjnë populizëm me çmime artificiale, tha Tahiri, derisa dha propozimi se çfarë masa duhet të ndërmirren.