
Vrasja tragjike e Ilaz Brahimit, që ndodhi mbrëmjen e kaluar, ka tronditur familjarët dhe miqtë e tij.
Mes shumë mesazhesh ngushëllimi, hoxhë Hasim Berisha ka ndarë një kujtim prekës nga biseda e tyre e fundit, duke lartësuar figurën e të ndjerit si një besimtar të devotshëm.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Berisha ka treguar se Brahimi ishte nisur drejt vendlindjes me një qëllim fisnik: të festonte festën e Bajramit pranë nënës së tij.
Hoxha ka kujtuar momentin kur Ilazi i kishte treguar arsyen pse nuk mungonte asnjëherë në Kosovë gjatë festave.
“Me pikëllim morëm lajmin për vdekjen e xhematliut, vëllait tonë Ilaz Brahimi. Vdekja e tij na tronditi. Ai ka qenë një besimtar i devotshëm dhe një djalë shumë i mirë. Ditën para se të nisej për në Kosovë më tha: ‘Hoxhë, çdo Bajram shkoj në Kosovë vetëm për hir të nënës’”, ka shkruar Berisha.
Berisha ka treguar se kohën e fundit e kishin kaluar së bashku në adhurim, pa e ditur se ajo do të ishte përshëndetja e tyre e fundit.
“Natën e Kadrit e kaluam së bashku deri në mëngjes, pastaj iku për të mos u takuar më me ne në këtë dynja. Zoti të mëshiroftë Ilaz, Allahu na bashkoftë në xhenetet e Tij”, ka shkruar ai.