
Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme mbajti një takim koordinues me përfaqësuesit e gjendjes civile nga komunat e Kosovës.
Takimi, siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, ishte “lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e Zyrave të Gjendjes Civile gjatë periudhës së zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, si dhe vendimeve të fundit të nxjerra nga Ministri i MPB-së”.
“Takimin e hapi Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, z. Jetmir Haziri, i cili theksoi se ky takim është në vazhdimësi të takimit të kaluar sa i përket mobilizimit për zbatimin e këtyre ligjeve, në mënyrë që të gjithë të jemi të përgatitur për sfidat që dalin në praktikë. Me këtë rast, u theksua se të gjitha sfidat që kanë dalë nga takimi i kaluar janë adresuar në të gjithë mekanizmat, disa prej të cilave janë bërë edhe vendime të Ministrit të MPB-së, me qëllim të krijimit të lehtësirave në shërbime për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të huajt që vijnë në vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, “gjatë takimit, zyrtarët e MPB-së dhe zyrat e gjendjes civile në të gjitha komunat e Kosovës vunë në dukje se do të angazhohen me kapacitet maksimal për zbatimin e drejtë të obligimeve që burojnë nga Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjete, si dhe vendimeve të fundit të ministrit”.
“Po ashtu, u theksua se do të ketë koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunale me qëllim të adresimit të të gjitha sfidave të mundshme”, thuhet në njoftim.