27 vjet nga masakra e Kotlinës! 22 burra, pleq e të rinj u vranë e u hodhën në bunar

17:50 | 24 Mars 2026
27-vjet-nga-masakra-e-kotlines!-22-burra,-pleq-e-te-rinj-u-vrane-e-u-hodhen-ne-bunar

Në 27 vjetorin e rënies së dëshmorëve, në fshatin Kotlinë të komunës së Kaçanikut, u mbajt një manifestim përkujtimor në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati, të cilët ranë gjatë luftës së vitit 1999, shkruan Gazeta 10.

Aktiviteti filloi me një rrëfim prekës nga studentja e këtij fshati, Altina Loku, mbesa e dëshmorit Sabri Loku, e cila kujtoi ngjarjen tragjike të 24 marsit 1999, kur 22 të rinj u vranë dhe më pas u hodhën në bunarë. Ajo theksoi se kjo është ngjarja më e rëndë që ka përjetuar fshati, ku burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm u bënë viktima të dhunës së pamëshirshme.

Në këtë përvjetor u përkujtuan gjithsej 14 dëshmorë dhe 15 martirë të rënë për lirinë e vendit.

Në këtë manifestim mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi i cili me nje fjalë rasti tha se 24 marsi është një ditë e kobshme jo vetëm për Kotlinën, por për gjithë Kaçanikun dhe Kosovën. Ai kujtoi se zona ishte përballur me një rrethim të ashpër dhe ofensivë të forcave serbe, ndërsa rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e fuqishme.

“Është një histori e dhimbshme, por edhe krenare për ne,” tha Vishi, duke shtuar se kjo datë përkon edhe me fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s, që shënuan një kthesë në luftë.

Ai theksoi gjithashtu se sakrifica e dëshmorëve duhet të shërbejë si amanet për forcimin e shtetit dhe institucioneve.

Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Kaçanik, foli veterani Jeton Kuqi, i cili tha se kjo ditë përjetohet me dhimbje, por edhe me krenari për qëndresën e banorëve të Kotlinës.

Ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve, të pranishmit i përshëndeti Hazbi Loku, vëllai i dëshmorit dhe mësuesit të shkollës së Kotlinës, Milaim Loku.

Në kuadër të manifestimit u organizua edhe një program kulturo-artistik nga të rinjtë e fshatit. Homazhe dhe kurora lulesh u vendosën pranë lapidarit dhe në vendin e rënies, si dhe te Kompleksi Memorial i Dëshmorëve.

Sipas të dhënave, gjatë luftimeve të 9 marsit 1999 në Kotlinë ranë dy dëshmorë dhe u dogj një pjesë e shtëpive. Ndërsa më 24 mars 1999, u vranë 26 banorë të fshatit, prej tyre 11 dëshmorë dhe 15 martirë. Më vonë, listës së dëshmorëve iu shtua edhe një luftëtar që ra në betejën e Koshares, Abush Loku./Gazeta 10

Liria do të egzistojë aq kohë, sa i përkujtojmë dëshmorët.

Më poshtë mund t’i shihni disa fotografi nga kjo masakër.

Komento: