
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka dhënë një intervistë të gjatë ku ka folur hapur për revistën prestigjioze franceze Le Point. Ai ka prekur disa tema, që nga qëndrimin i Shqipërisë ndaj Iranit dhe mbështetja ndaj linjës së fortë amerikane te roli i Shqipërisënë NATO dhe marrëdhëniet me Europën.
Siç shkruhet në artikullin e Le Point, Rama nuk i shmangu pyetjet e ndjeshme, duke dhënë qartësi mbi vendimet e politikës së jashtme dhe prioritetet e qeverisë së tij.
Kreu i qeverisë ka shpjeguar pse Shqipëria mbështet politikën e ashpër të SHBA-ve ndaj regjimit iranian, shtuar faktin se Shqipëria është një nga pak shtetet pa marrëdhënie diplomatike me Iranin dhe që strehon muxhahedinët iranianë, një grup opozitar iranian që ka zbuluar programin bërthamor sekret të Teheranit.
Sipas Ramës, Shqipëria nuk u frikësohet kërcënimeve.
“Është e rëndësishme të flitet me të gjithë, përveç terrorizmit”, ka theksuar ai.
Rama ka vënë në dukje se Shqipëria është pjesë e NATO-s, që i jep mbrojtje të fortë ndaj çdo sulmi të mundshëm. Ai nënvizon se vendi ynë ka një histori të qartë mbrojtjeje të të drejtave dhe strehimit të të persekutuarve, duke e lidhur këtë me vendimin për të pritur muxhahedinët dhe afganët që humbën mbështetjen ndërkombëtare.
Ka theksuar rëndësinë e një Europe të bashkuar dhe nevojën që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së sa më shpejt. Ai shpjegoi se qëndrimi i Shqipërisë nuk është në kontradiktë me interesat europiane, pasi vendet e tjera nuk kanë një linjë të vetme për çështjen iraniane.
Shqipëria, sipas Ramës, mund të ndihmojë në përparimin e projektit europian duke u bërë pjesë e BE-së, duke respektuar traditën e unitetit europian.
Kryeministri ka folur edhe për miqësinë e tij me presidentin amerikan Donald Trump apo për projektet e investimeve të Jared Kushner në Shqipëri, duke mohuar çdo pretendim për privatizim të ishullit të Sazanit.
Ai deklaroi se Shqipëria do të blejë pajisje ushtarake europiane, izraelite dhe amerikane sipas nevojës, duke ruajtur lirinë e vendit për të zgjedhur partnerët strategjikë.
Numri një i kabinetit ka kujtuar historinë e Shqipërisë si vend mikpritës i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore duke nënvizuar rëndësinë e kodit të nderit shqiptar:
“Pika më e rëndësishme për një shqiptar është Zotëria dhe mysafiri”, është shprehur ai, duke e lidhur këtë parim me vendosmërinë e Shqipërisë për të mos u kthyer kurrë shpinën atyre që kërkojnë strehim dhe mbrojtje.