
Gjykata Kushtetuese, ditën e djeshme nxori aktgjykimin e saj lidhur me situatën aktuale politike, ku vendosi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ‘’nuk ka efekt juridik’’, dhe se, deputetët kanë afat edhe pak më shumë se një muaj për ta zgjedhur shefin e ri të Kosovës.
Për këtë, dhe lidhur me situatën politike, Robert Lansing Institute me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka kushtuar një artikull analize. Aty, ky instituti vlerëson se aktgjykimi i Kushtetueses ‘’shënon një moment përcaktues në trajektoren demokratike’’ të vendit, dhe se, Kosova ‘’rrezikon që të hyjë në një cikël krizë- zgjedhje – krizë e re’’.
Por para kësaj, thekson instituti, ‘’rreziku i menjëhershëm’’ është mungesa e presidentit të ri, i cili, ‘’është nyje kyçe e legjitimiteti institucional’’, duke shtuar se pa president, nuk mund të konfirmohen emërimet e larta, mandatet rrezikojnë të skadojnë pa zëvendësim dhe se, vazhdimësia operacionale varet nga ushtrues detyre.
‘‘Narrativat që e paraqesin Kosovën si jofunksionale ose të përçarë mund të amplifikohen nga jashtë, duke minuar besimin publik dhe kredibilitetin ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, boshllëqet në legjitimitetin institucional – veçanërisht në sektorin e sigurisë – krijojnë hapësira për ndikim dhe ndërhyrje’’, thuhet mes tjerash në artikull.
Më tej, RLI në artikullin e vet, vlerëson se Kosova është në ‘’moment kritik’’ dhe se, kriza institucionale ‘’po hyn në një fazë më të rrezikshme’’.
Në artikull ngrihen pikëpyetje edhe për funksionimin e vendit, duke thënë se një vend që ‘’nuk mund të garantojë funksionimin bazë’’ të zyrës së presidentit, ‘’ngre pikëpyetje mbi aftësinë e tij për të qeverisur’’.
‘’ Dilema, pra, nuk është më retorike – është strategjike: kush do t’i besojë një vendi që nuk mund të zgjedhë presidentin e vet dhe në çfarë kushtesh? Për partnerët perëndimorë, pyetja bëhet jo vetëm çështje e përputhjes politike, por edhe e besueshmërisë operacionale. Për aktorët kundërshtarë, e njëjta pasiguri paraqet mundësi – një hapësirë për të shfrytëzuar dobësinë, për të thelluar ndarjet dhe për të sfiduar qëndrueshmërinë institucionale’’, thuhet mes tjerash në artikull.