
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është identifikuar personi i cili u gjet pa shenja jete në Prizren.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur më 26 mars 2026, rreth orës 11:36, në rrugën “Edit Durham”, ku një burrë rreth 70 vjeç është gjetur i pajetë. Njësitet policore, së bashku me ekipet hetimore dhe të krim-teknikës, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Autoritetet kanë bërë të ditur se në trupin e viktimës nuk janë vërejtur shenja dhune. Trupi i pajetë është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes” në konsultim me prokurorin.
Fillimisht, policia kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e viktimës. Pas veprimeve hetimore në terren dhe kontaktit me familjarët, është arritur të konfirmohet identiteti i tij.
Policia ka falënderuar mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin, duke bërë të ditur se procedurat ligjore do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.