Kosova lidh ujdi me Panamanë për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare

11:00 | 27 Mars 2026
kosova-lidh-ujdi-me-panamane-per-heqjen-e-vizave-per-pasaportat-diplomatike-dhe-zyrtare

Republika e Kosovës dhe Republika e Panamasë kanë shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, përmes nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme , marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Republikës së Panamasë, Carlos A. Hoyos, në një ceremoni zyrtare që rikonfirmoi përkushtimin e të dy vendeve për avancimin e bashkëpunimit dhe forcimin e lidhjeve diplomatike.

“Gjatë takimit dypalësh që i parapriu nënshkrimit, palët diskutuan për nisjen e procedurave drejt heqjes së vizave edhe për mbajtësit e pasaportave të rregullta, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë sigurinë, arsimin e lartë dhe turizmin. Po ashtu, u dakordua që raundi i ardhshëm i konsultimeve politike ndërmjet dy ministrive, në nivel të zëvendësministrave, të mbahet në Prishtinë në fund të vitit 2026”, thuhet në njoftim.

Komento: