DHTIK: Moratoriumi për gurthyesit rrezikon ekonominë e Kosovës

15:30 | 27 Mars 2026
dhtik:-moratoriumi-per-gurthyesit-rrezikon-ekonomine-e-kosoves

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në një kohë kur diskutimet me institucionet janë përqendruar në gjetjen e mënyrave për të zhbllokuar aktivitetin e shumë bizneseve të sektorëve të ndryshëm, të cilat u penguan nga Ligji për Pronën Publike, drejtuesit e dy ministrive kanë vendosur, pa konsultim paraprak, një moratorium mbi sektorin e gurthyesve në Kosovë.

DHTIK nëpërmjet një komunikate, thekson se vendimet ad hoc dhe pa konsultim kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonomi dhe vazhdimi i praktikave të tilla vetëm e thellon krizën.

Për shkak të bllokadës së shkaktuar nga Ligji për Pronën Publike dhe pengesat tjera pas tij, pjesa më e madhe e zhavorrit që importohet në Kosovë vjen nga Serbia, çka ka rrezikuar shumë vende pune, ka ulur aktivitetin ekonomik, ka shkaktuar paqëndrueshmëri të çmimeve dhe ka rritur përqindjen e importit.

Dhoma është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha bizneset e prekura nga ligji dhe nga vendimet për moratorium dhe së bashku do të vendosin për hapat e mëtutjeshëm.

Komento: