
Në mbledhjen e 291-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) është anuluar, me katër vota për, procesi për avancimin e katër prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Kryesuesi Arian Gashi deklaroi se ka pasur tejkalim të afateve për vendimmarrje lidhur me kundërshtimin e paraqitur nga një kandidate për avancim.
Anëtari Dardan Vuniqi tha se nuk mund të votojë për një proces ku nuk janë respektuar afatet e përcaktuara. Ndërsa Visar Krasniqi theksoi se procesi kishte nisur në shtator dhe ende nuk ishte përmbyllur, duke shtuar se nuk kishte qenë pro shpalljes së konkursit që në fillim. Sipas tij, një analizë e Komisionit për Administrimin e Prokurorive kishte konstatuar se, bazuar në numrin e lëndëve, në këtë prokurori ka 12 prokurorë më shumë sesa nevoja. Ai shtoi se ka pasur shkelje edhe gjatë procesit të intervistimit.
Nga ana tjetër, Elza Bajrami-Kastrati deklaroi se emrat e propozuar për avancim në Prokurorinë Speciale nuk kanë ekspertizën e nevojshme për të ndihmuar në zgjidhjen efikase të lëndëve.
Anëtari Milot Krasniqi tha se, duke qenë pjesë e kësaj prokurorie, e njeh më së miri ngarkesën me lëndë, duke shtuar se afati për shqyrtimin e kundërshtimeve është i përcaktuar me rregullore. Ai kritikoi Këshillin për mosveprim të njëjtë në raste të tjera, duke përmendur zgjatjen e transferimit të prokurorit Dardan Qela.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se duhet të gjendet një zgjidhje dhe të veprohet në mënyrë të arsyeshme. Në fund, Këshilli vendosi të anulojë procesin me votat e Arian Gashit, Dardan Vuniqit, Elza Bajrami-Kastratit dhe Visar Krasniqit, ndërsa kundër votuan Agron Qalaj dhe Milot Krasniqi.
Në këtë mbledhje, KPK vazhdoi mandatin e anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Nazan Shero dhe Aleksandër Lumezi, ndërsa si anëtarë rezervë u emëruan Besnik Jakupi dhe Lulzim Sylejmani.
Lidhur me këtë, Visar Krasniqi tha se duhet të ketë përbërje të re të Komisionit, duke theksuar se emërimi i Lumezit nuk ka ndjekur procedurat dhe se vlerësimet janë bërë vetëm në zyrë, pa aktivitete në terren dhe pa funksionim efektiv për më shumë se tre muaj.
KPK gjithashtu themeloi grupin punues për monitorimin e zbatimit të Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit 2025–2027, me kryesues Milot Krasniqin dhe anëtarë Bahri Hysenin dhe Besim Kusarin.
Po ashtu, u themelua Komisioni mbikëqyrës për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, në përbërje: Elza Bajrami-Kastrati (kryetare), Shkëlzen Ibrahim dhe Besim Kelmendi (anëtarë).
Më tej, u themelua Komisioni për Kushtet e Tregut të Punës, me kryesues Dardan Vuniqin dhe anëtarë Visar Krasniqin dhe Arbër Zariqin.
Këshilli miratoi edhe kërkesën e prokurorit Dardan Qela për zgjatjen e transferimit edhe për tre muaj në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Për këtë, anëtari Milot Krasniqi tha se, pavarësisht mosrespektimit të plotë të dispozitave ligjore, duhet të merret parasysh ngarkesa e madhe e kësaj prokurorie me lëndë.
Gjithashtu, u miratuan planet e punës për vitin 2026 të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve dhe Komisionit për Çështje Normative. U bë e ditur se deri në 71 prokurorë do t’i nënshtrohen vlerësimit, ndërsa në fushën normative do të rishikohen aktet në kundërshtim me ligjin dhe ato që kërkojnë avancim.
Në fund, KPK vendosi avancimin e prokurorit Labinot Jetisha nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda në Prizren.