
Në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë është vendosur e ashtuquajtura ekspozita “masakrat në Kosovë 1998-1999”. Kjo ekspozitë është paraparë të mbahet nga data 24 mars deri më 7 prill, 2026. Komplet ekspozita bazohet në librin e Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.
Vet autori, ditën e enjte, lajmëroi për hapjen e saj. Por, ky aktivitet, që qëndron ende i hapur, ka tmerruar për së dyti, ata që e panë tmerrin e masakrës së Dubravës me sy të tyre. Përveç pasaktësive të mëdha, në këtë ekspozitë ajo që bie në sy, e që u evidentua nga vet të mbijetuarit e masakrës, ishte ekspozimi i propagandës serbe, e cila flet për shqiptarë të armatosur në burgun e Dubravës. Ky ekspozim po ndodh në shesh të Prishtinës.
Sadik Zeqiri i mbijetuar i masakrës në burgun e Dubravës, i ka reaguar ashpër kësaj ekspozite, duke e quajtu të turpshme.
“Turp! Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës. Historia nuk është lodër që mund ta shtrembëroni me disa tabela të pasakta. A e keni parë çfarë keni shkruar për masakrën e Dubravës? Si është e mundur të pretendoni se 48 shqiptarë të armatosur dhe 58 civilë janë vrarë në Dubravë? Nga i keni marrë këto “fakte”? Në Serbi?
Tutje, ai është ndalur pikërisht tek fraza “shqiptarë të armatosur”.
Në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur. Të gjithë kanë qenë duarthatë dhe të pambrojtur. E vërteta është kjo: 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa ende figuron i zhdukur Ukshin Hoti. Mbi 400 të tjerë janë plagosur.Kjo nuk është thjesht gabim – është shtrembërim i rëndë i së vërtetës.Turp për këtë. Edhe një kërkim-falje nuk mjafton.” – shkroi ai.
Edhe i mbijetuari tjetër i kësaj masakre Enver Dugolli, është skandalizuar nga ajo që ka parë në sheshin e Prishtinës. Sipas tij, përveç pasaktësive, aty përforcohet narracioni i Serbisë.
“Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme.
Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë, është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur.”
Sipas Dugollit, “një material i tillë, në formën aktuale, nuk i shërben të vërtetës; përkundrazi, mund të përdoret për të përforcuar narrativën e rreme të Serbisë”