Aksion simbolik kundër ekspozitës së Gashit, Gjocaj: Nuk ka qenë e vështirë me i gjetë emrat

18:15 | 28 Mars 2026
aksion-simbolik-kunder-ekspozites-se-gashit,-gjocaj:-nuk-ka-qene-e-veshtire-me-i-gjete-emrat

Sot është zhvilluar aksion simbolik kundër ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” që u prezantua së fundmi në Prishtinë dhe që ngjalli reagime të shumta për pasaktësitë rreth gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Një nga organizuesit e këtij aksioni, Astrit Gjocaj tha se të gjitha tekstet e kësaj ekspozite kishin gabime. Ai tha se gjetja e të dhënave nuk ka qenë e vështirë duke thënë se ka memoriale dhe pllaka përkujtuese për të gjitha viktimat e këtyre masakrave.

“Është një aksion simbolik të cilin ne e kemi gjetur prej 3 masakrave që kanë qenë më të mëdha sepse gabime ka pasur në të gjitha tekstet e asaj ekspozite. Qëllimi i kësaj është sepse nuk është vetëm gabimi që është bë në tekstet dhe informatat që janë bë në ekspozitë. Problemi është se edhe gabimi më i madh tendenca me arsyetu vetën dhe me bartë fajin edhe te familjarët me arsyen se ata vet kanë deklaruar se kanë qenë ushtarë të UÇK-së, ndërsa ne e dimë se mund të ishte edhe ushtar i UÇK-së, por mund të ishte burgos dhe në burg nuk ka qenë më ushtar, ka qenë i pambrojtur, civil dhe i paarmatosur. Dhe kjo dëshira që në burgun e Dubravës të del se ka pasur mbi 40 të armatosur atëherë kemi të bëjmë me rezitencë, do të thotë me një kryengritje të burgosur gjë që nuk ka qenë, ka qenë një masakër një krim një gjenocid që e ka bërë Serbia në Kosovë dhe qëllimi i kësaj është me iu tregu se nuk ka qenë e vështirë me i gjetë emrat, sepse ashtu siç i kemi gjetë ne emrat për masakrën e Prekazit, ashtu siç i kanë marrë paret për me realizu këtë projekt që do të ishte i mirë sikur të ishte në nuancat e duhura dhe sikur të ishte me informacionet e sakta. Nuk ka pas nevojë me u bazu në Natasha Kandiç, sepse kanë mund me shku në Krushë me i numëru varret edhe është pllaka me emra. Nuk kanë pasur nevojë me u bazu në Natasha Kandiçin sepse i kanë pasur të gjitha emrat në memorialin në burgun e Dubravës që i ka të gjitha emrat e shënuar dhe me shku me i lexu edhe me i numëru. Gjithashtu nuk ka pasur nevojë për Jasharajt sepse nëse një qytetar i Kosovës nuk e di se sa varre janë në Prekaz dhe bazohet në Natasha Kandiçin unë nuk e di se çfarë qytetari çfarë shqiptari dhe çfarë interesi ke ti me i kontribu luftës dhe dëshmive të saj, kështu që do të thotë që zhgënjimi është më i madh se sa që është bërë ekspozita, se sa që janë dhënë ato pare, kushdo që i ka dhënë në çfarëdo forme që i ka dhënë dhe çfarëdo kritere që i ka dhënë, po kjo tendenca tjetër që me fut përçarjen mes qytetarëve dhe duke dashtë të bëjnë reagimin si politik dhe këto për tema të tilla as nuk duhet të ketë sulme politike, por as mbrojtje politike. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me politikën, politika e ka punën e vet.Është tmerruese fakti që njerëzit mendojnë se a është e drejtë apo s’është e drejtë me lujtë me një jetë me një masakër me një gjak që është derdhur edhe që sot ende familjet kanë plagë të hapura dhe ende e vuajnë atë masakër atë tragjedi”, tha ai.

Komento: