Pas largimit të Oravit, BE-ja me u.d në Kosovë/ Kush është Eva Palatova

20:20 | 28 Mars 2026
pas-largimit-te-oravit,-be-ja-me-u.d-ne-kosove/-kush-eshte-eva-palatova

Pas përfundimit të mandatit të Aivo Orav, Eva Palatova ka marrë detyrën si ushtruese e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Palatova është një diplomate e lartë e Bashkimit Evropian me mbi 20 vjet përvojë në çështjet e BE-së, e specializuar në Politikën e Jashtme, Marrëdhëniet e Jashtme, Zgjerimin dhe Marrëdhëniet Ndërinstitucionale.

Që nga viti 2023, ajo ka ushtruar detyrën e zëvendësshefes së BE-së në Kosovë, ku ka udhëhequr një staf prej rreth 140 personash dhe ka koordinuar mbështetjen për integrimin evropian, asistencën financiare dhe angazhimin politik të BE-së në vend.

Gjatë karrierës së saj, Palatova ka mbajtur role këshilluese në Parlamentin Evropian, ku është angazhuar në raportet e progresit për zgjerimin, negociatat ndërinstitucionale për krijimin e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), marrëdhëniet parlamentare BE–SHBA, si dhe procesin e negociatave për Brexit.

Ajo gjithashtu ka shërbyer në pozita të larta diplomatike në Delegacionet e BE-së në Kanada dhe në Uashington DC, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Bashkimit Evropian.

Angazhimi i saj në Kosovë ka qenë përkrah ambasadorit Orav, i cili gjatë mandatit të tij si shef i Zyrës së BE-së në Kosovë është dalluar për një rol aktiv në avancimin e agjendës evropiane të vendit.

Me të marrë detyrat, Palatova veçse ka nisur takimet me krerë të institucioneve të Kosovës, në një kohë kyçe – me BE-në që i ka hequr masat Kosovës.

Komento: