Fushtica: S’dihet shkaku i shembjes së rrugës, pronari i ndërtesës u ftua nga Policia, do të shohim a ka nevojë për evakuim të banorëve

17:20 | 29 Mars 2026
fushtica:-s’dihet-shkaku-i-shembjes-se-rruges,-pronari-i-nderteses-u-ftua-nga-policia,-do-te-shohim-a-ka-nevoje-per-evakuim-te-banoreve

Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica tha se po merren “masat fillestare” pas shembjes së një pjese të asfaltit përgjatë një segmenti në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet.

Ai tha se “shkaku ende nuk dihet sepe është ende herët që të flitet”, por shtoi se pronari i një ndëtrtese në afërsi është ftuar nga Policia për intervistim. Ndaj tij, ai tha se “sipas të gjitha gjasave do të inicohet edhe rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

“Shkaku ende nuk dihet sepse është ende herët që të flitet. Policia është në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, me Inspektoratin e Ndërtimit, KEDS-i, ujësjellësi, pra të gjitha ekipet. Për momentin janë duke i marrë masat fillestare të sigurimit të vendit”, tha Fushtica.

“Pronari i ndërtesës është thirrë në Polici për intervistim si shkak i këtij rasti. Relisht, sipas të gjitha gjasave do të inicohet edhe rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, shtoi ai.

Fushtica tha se nesër Inspektorati Ndërtimor “do të dalë në vendin e ngjarjes dhe do të fillojë me masat të cilat duhet të ndërmerren”.

“Rruga do të jetë e mbyllur për një kohë të gjatë. Do t’i marrim të gjitha masat që kjo hapësirë të jetë e sigurt që të mos vijë deri te ndonjë rrezik tjetër”, tha ai.

Fushtica tha se inspektorët e ndërtimit “po e bëjnë vlerësimin e situatës”, kur u pyet nëse po menodjnë evakuimin e banorëve aty.

“Të gjitha ekipet janë këtu dhe për çdo rrezik, nëse ekziston rreziku më i vogël, ne do të marrim masa”.

“Do të vlerësohet nga ekipet e specializuara. Nëse ka nevojë të ketë evakuim, banorët do të evakuohen, por për momentin nuk shihet që ka nevojë përt ndonjë evakuim. Por nëse ka nevojë, patjetër që ne nuk do të rrezikojmë për asnjë moment dhe do ta largojmë çdo qytetar që ndjehet i rrezikuar apo nëse është e rrezikuar ndonjë ndërtesë apo hapësirë tjetër publike”, tha Fushtica.

Komento: