Alarmon Koci: Në tri kalimet e fundit në kufi me Serbinë, ndalohem pa shpjegim

21:20 | 29 Mars 2026
alarmon-koci:-ne-tri-kalimet-e-fundit-ne-kufi-me-serbine,-ndalohem-pa-shpjegim

Avokati kosovar Arianit Koci ka njoftuar se gjatë tri kalimeve të fundit në kufirin me Serbinë është ndaluar për verifikim shtesë, pa asnjë shpjegim, ku procedura zgjat nga 13 deri në 30 minuta. Ai thotë se ky kontroll i përsëritur ndodh edhe pse ka kaluar me veturë zyrtare të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe në prani të shefit të Zyrës.

Koci sqaron se ky veprim është i qëllimshëm dhe lidhet me rolin e tij në mbrojtjen ligjore të qytetarëve të Kosovës që dyshohen për krime të pretenduara lufte, si dhe me funksionin e tij si lidhje mes avokatit lokal dhe familjeve, duke siguruar komunikim të saktë dhe tejkalim të barrierave gjuhësore, shkruan IndeksOnline.

Ai e konsideron këtë presion institucional si tentativë për të kufizuar ushtrimin e profesionit të tij, por thekson se vepron gjithmonë në përputhje me ligjin dhe kërkon që çdo qytetar i Kosovës të trajtohet sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligjeve vendore.

Postimi i plotë:

Në tri kalimet e fundit në kufirin me Serbinë, po ndalohem për verifikim shtesë. Pa asnjë shpjegim.

Procedura është e njëjtë çdo herë.

Polici serb ma merr dokumentin pa interes. Jam një prej shumë qytetarëve që hyn në Serbi.

Posa e skanon letërnjoftimin tim, i hap sytë, më shikon mua, pastaj ekranin. Më kërkon të parkohem anash.

Del nga kabina dhe shkon në objektin kryesor. Bëhen verifikime dhe konsultime me telefon.

Pres.

Kjo zgjat nga 13 deri në 30 minuta.

Kthehet. Dokumenti më jepet pa asnjë shpjegim. Më thuhet se mund të vazhdoj.

E njëjta procedurë, tri herë radhazi.

Në këto tri raste kam qenë në veturën zyrtare të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, së bashku me Shefin e Zyrës.

Deri më tani, për vite me radhë kam kaluar pa asnjë pengesë.

Aktiviteti im në koordinimin e mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës që dyshohen nga autoritetet serbe për krime të pretenduara lufte – po u pengon strukturave shtetërore atje.

Prandaj, ky ndryshim i statusit tim në sistemet kufitare nuk është i rastësishëm. Është evidente që jam subjekt i monitorimit nga organet e sigurisë në Serbi.

Atje, përveç rolit tim si avokat në rastet e lartëcekura, jam edhe lidhja mes avokatit lokal dhe familjes, si dhe personi që siguron tejkalimin efektiv të barrierave gjuhësore dhe garanton komunikim të saktë.

Pikërisht për këtë rol, jam në monitorim.

Kjo është presion institucional që synon të ndërhyjë në mbrojtjen ligjore dhe të kufizojë ushtrimin e profesionit tim.

Nëse do të ekzistonte ndonjë procedurë ligjore ndaj meje, do të njoftohesha. Tanimë kam kaluar “kontrollin shtesë” disa herë.

Sidoqftë, veproj në përputhje me ligjin – në çdo hap dhe në çdo juridiksion ku ushtroj profesionin. Serbia nuk është përjashtim.

Kërkesa ime është e qartë edhe atje: çdo qytetar i Kosovës në Serbi të trajtohet sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligjeve vendore në fuqi.

Angazhimin tim do ta vazhdoj. Nuk më demotivon dhe nuk më frikëson askush në punën time.

Ky publikim bëhet për një arsye të vetme: në rast të ndonjë incidenti eventual gjatë ushtrimit të detyrës sime si avokat në Serbi, të ekzistojë një kontekst i dokumentuar i kësaj situate.

Komento: