Osmani dekoron figura të shquara të historisë: Liria u ndërtua me gjak, guxim dhe përkushtim

18:05 | 30 Mars 2026
osmani-dekoron-figura-te-shquara-te-historise:-liria-u-ndertua-me-gjak,-guxim-dhe-perkushtim

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dekoruar figura të shquara që kanë kontribuar në Kosovë gjatë kohës që vendi ka kaluar periudhë të vështirë drejt paqes.Osmani në fjalimin e saj tha se disa dekorata janë për heronjtë që luftuan për lirinë e popullit të Kosovës që nuk u dorëzua asnjëherë.

“Është muaj i krenarisë për trimërinë dhe heroizmin e treguar nga breza të tërë në mënyrë që ne sot të jemi të lirë në shtetin tonë të pavarur e demokratik. Dekoratat që po ndahen janë përveçse mirënjohje edhe dëshmi e sakrificës dhe guximit, dëshmi e popullit tonë, i cili nuk u përkul, nuk u dorëzua dhe nuk hoqi dorë nga liria asnjëherë. Dëshmi e mundit, djersës dhe angazhimit të gjeneratave të tëra që dhanë gjithçka për shtetin tonë të dashur. Prandaj nderimi ynë do të fillojë me heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata që vunë sakrificën më të lartë duke dhënë jetën për liri. Ata luftuan për dinjitetin tonë dhe për të drejtën për të jetuar të lirë. Janë themeli i shtetit tonë, ndaj nderimi i përjetshëm u takon atyre. Por liria jonë nuk u ndërtua vetëm në fushëbetejë, përkundër që pikërisht fushëbeteja i ndërtoi themelet e saj. Ajo u ndërtua edhe nga shumë bij e bija të këtij vendi, të cilët u munduan me dije, me guxim qytetar e me përkushtim profesional duke vendosur shtylla të forta mbi të cilat sot qëndron progresi i shtetit tonë. Prandaj disa nga dekoratat i kushtohen kontributit për liri e pavarësi dhe do t’u jepen atyre që u angazhuan për këtë shtet në kohët më vendimtare”, tha Osmani.

Gjithashtu e para e vendit tha se do të nderohen mjekët, gratë që i prinë vendit, gazetarë dhe fotoreporterë, aktivistë si dhe diasporën në ShBA, Evropë e deri në Australi.

“Sot do të nderojmë edhe mjekët doajenë, të cilët në rrethana të pamundura shpëtuan jetë dhe ruajtën humanizmin në kohë çnjerëzore. Do të nderojmë gratë prijëtare, të cilat mbajtën gjallë shoqërinë dhe u bënë shtyllë e rezistencës sonë duke thyer edhe barriera në fusha ku në të kaluarën dominonin vetëm burrat. Do të nderojmë edhe gazetarë e fotoreporterë, të cilët dokumentuan të vërtetën dhe ia treguan botës realitetin e Kosovës duke e bërë zërin tonë të dëgjohet përtej kufijve. Nderojmë aktivistët brenda e jashtë vendit, të cilët ngritën zërin për liri dhe drejtësi. Veçanërisht duhet të vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm të mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vendet e Evropës e deri në Australinë e largët, të cilët me angazhimin e tyre politik, financiar e shoqëror e mbajtën gjallë kauzën tonë dhe ndihmuan fuqishëm në rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit. Sot nderojmë edhe ata që kontribuuan në shtetndërtim: profesionistë, intelektualë e shërbyes publikë, kampionë të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, të cilët edhe pas luftës punuan me përkushtim për ndërtimin e institucioneve dhe për konsolidimin e shtetit tonë dhe për bërjen e këtij shteti një shtet ku secili ndihet i vlerësuar dhe i barabartë”, tha kryetarja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Komento: