
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se procesi i deklarimit vjetor të pasurisë po zhvillohet sipas afateve ligjore, me shumicën e zyrtarëve publikë që tashmë kanë përmbushur obligimin.
Sipas të dhënave të fundit, 79.79% e zyrtarëve (8276 persona) kanë deklaruar pasurinë, 11.52% janë ende në proces, ndërsa 8.69% nuk e kanë nisur ende këtë procedurë. Afati përfundimtar për deklarimin është 31 mars 2026, deri në mesnatë, dhe nuk parashihet shtyrje pa pasoja juridike, përveç rasteve të veçanta teknike.
APK paralajmëron masa ndëshkuese për zyrtarët që nuk respektojnë afatin, përfshirë gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore. Në rast të mosdeklarimit edhe pas masave administrative, çështja mund të procedohet më tej me kallëzime penale në prokurori.
Verifikimi i pasurisë bëhet përmes shortit të rastësishëm ose bazuar në informacione nga qytetarët, mediat dhe institucionet. Ndërkohë, deklarimi i rremë ose i paplotë mund të çojë në pasoja ligjore, përfshirë hetime dhe njoftim të institucioneve relevante si Administrata Tatimore apo Dogana./Front Online