
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë muajit mars 2026 janë shqiptuar gjithsej 295 gjoba ndaj shoferëve që kanë përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit.
Në komunikatën për media theksohet se përdorimi i telefonit gjatë vozitjes vazhdon të mbetet një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve në trafik, duke rrezikuar jetën e drejtuesve dhe pjesëmarrësve të tjerë në rrugë.
“Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes vazhdon të jetë një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore”, thuhet në njoftim.
Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të jenë të përqendruar gjatë drejtimit të automjetit dhe të shmangin çdo formë shpërqendrimi.
“Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përqendrohen plotësisht në drejtimin e automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi, pasi edhe një sekondë pakujdesie mund të ketë pasoja serioze për jetën e njerëzve”, theksohet më tej.
Autoritetet kanë rikujtuar se qytetarët mund të raportojnë shkeljet e rregullave të trafikut në stacionet më të afërta policore, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, si dhe në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
Po ashtu, Policia Rajonale e Ferizajt ka siguruar qytetarët se konfidencialiteti i të dhënave të tyre do të ruhet plotësisht.