Dyshimet për njehësorë të pasaktë, KEDS’i fillon vendosjen e matësve të rinj

12:30 | 01 Prill 2026
dyshimet-per-njehesore-te-pasakte,-keds’i-fillon-vendosjen-e-matesve-te-rinj

KEDS ka filluar të vendosë njehësorët e rinj për matjen e shpenzimit të energjisë elektrike, pas raportimeve për pasaktësi të kalkulimit të shpenzimeve.

Në disa lagje të kryeqytetit ekipet e KEDS kanë filluar montimin e tyre, duke zëvendësuar ato të vjetrit.

Lidhur me çështjet e pasaktësisë së njehësorëve ka shkruar edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

MINTI në një njoftim përgjatë ditës së djeshme bëri të ditur se ka formuar një komision të posaçëm për njehësorët elektrikë.

“Me qëllim të garantimit të transparencës, korrektësisë dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve, dhe duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, në kuadër të përgjegjësive të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, me datë 31.03.2026, është themeluar një komision i posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë”, u tha në njoftim.

Ndonëse tha se s’kanë pranuar ndonjë ankesë zyrtare nga qytetarët, u bëri thirrje që t’i adresojnë ankesat në këtë institucion.

Komento: