
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në foltoren e Kuvendit ka folur për Ligjin për Këshillin e Pavarur për media. Ai madje pati kritika ndaj mediave.
Ai tentoi që të sulmojë mediat, duke përmendur “raportimet për financime me thasë parash”.
“Një demokraci nuk jeton vetëm nga bota e çliruar, por edhe nga fjala e lirë. Dhe kjo duhet të jetë e lirë për të qenë e vërtetë. Por fjala nuk mund të jetë e lirë nëse është e kapur nga interesat e fshehta. Raportimet për financime me thasë parash nuk janë vetëm një problem i etikës profesionale. Ato janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin e debatit publik. Sepse kur paraja hyn në mënyrë të padukshme, ajo blen jo vetëm hapësirën e lajmit, ajo blen ndjekjen, orienton narrativën dhe në fund deformon perceptimin e qytetarit“, tha ai.
“Një qytetar i dezinformuar nuk është qytetar i lirë. Ai është i manipuluar dhe siç shpjegojnë edhe raportet, ky manipulim vjen direkt nga armiqtë tanë, por që fatkeqësisht gjejnë edhe argatët e tyre brenda nesh.
Ne nuk kemi asnjë interes të kufizojmë mediat. Përkundrazi, kemi interes që ato të jenë më të forta, më të pavarura, më hulumtuese, më kritike. Por pavarësia nuk mund të ndërtohet mbi fshehtësi që financojnë shpifjen dhe dezinformimin publik“, theksoi ai.
“Liria e fjalës duhet të jetë e garantuar, por ajo duhet të shoqërohet me transparencë të plotë të pronësisë dhe të financimit. Qytetari duhet ta dijë se kush flet, në emër të kujt flet, me çfarë burimesh flet dhe nga kush financohet. Nëse secili biznes tjetër jep përgjegjësi për financat dhe burimet e tij, media gjithashtu duhet të jetë në këtë nivel. Kjo e mbron qytetarin nga manipulimi dhe dezinformimi, por i mbron edhe gazetarët dhe mediat e ndershme që raportojnë e informojnë me burime të sakta dhe financa të gjurmueshme. Ligji për Këshillin e Pavarur për Media që do ta sjellim para jush, nuk është për të kontrolluar median, por për ta mbrojtur atë nga kapja. Censura është pengesë e lajmit të drejtë, jo e lajmeve të pavërteta me financime të dyshimta. Dhe një demokraci që nuk e sheh këtë rrezik me kohë, rrezikon të humbasë lirinë pa e kuptuar. Me të njëjtën logjikë ka vepruar edhe Bashkimi Evropian kur ka mbyllur transmetimin e portaleve dhe televizioneve ruse“, u shpreh ai./EO