
Një 35-vjeçar në Himarë ka mbajtur peng prindërit e tij në banesë, nën kërcënimin e një thike. I dyshuari i kishte izoluar në një dhomë prindërit e tij, 60 dhe 65 vjeç, duke i kërcënuar me thikë se do t’i vriste.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur negociatat me 35-vjeçarin. Pas më shumë se një ore negociatash intensive, një polic ka arritur të komunikojë drejtpërdrejt me autorin, duke ndikuar në uljen e tensionit.
Në momentin e ndërhyrjes, 35-vjeçari ka tentuar të dëmtojë veten me mjetin prerës, duke shkaktuar plagë në zonën e barkut. Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke i hequr mjetin prerës, çka bëri të mundur shpëtimin e dy prindërve pa lëndime. Më pas, 35-vjeçari është shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë Himarë dhe më tej në Vlorë, ku ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal, si dhe është referuar për trajtim në shërbimet psikiatrike./TCh