
Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione me kërkesë të nënkryetarit të këtij komisioni është mbajtur mbledhje urgjente për ekspozitën e masakrave të viteve 1998-1999.
Artan Behrami nënkryetar i këtij komisioni kritikoi Qeverinë për financimin e librit të Shkëlzen Gashit, duke thënë se Kosova po përballet me rrezik të trefishtë të rishkrimit të historisë.
“Kosova këto ditë, por jo vetëm këto ditë, por edhe këto vite, këto dekada, po përballet me një rrezik të trefishtë të rishkrimit të historisë.
Rreziku i parë vjen nga Serbia, e cila mundohet që të ndajë hisen në krimet që ka bërë në Ballkan, duke u munduar që të kriminalizojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u munduar që të relativizojë të gjitha krimet që i ka bërë në Kosovë, duke mohuar masakrat dhe krimet makabre që ka bërë në tërë Kosovën. Ky është elementi i parë.
Elementi i dytë është Gjykata Speciale, e cila po ashtu ka për qëllim ndarjen e fajit për luftërat në Ballkan, ka për qëllim po ashtu rishkrimin e historisë, duke u munduar që të krijojë një balancë artificiale mes viktimës dhe agresorit. Po ashtu, Gjykata Speciale ka dhe qëllimin të kriminalizojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Elementi i tretë, çfarë fatkeqësisht kemi parë në këto vite e që kurrë s’kam besuar që do t’i përjetojmë, janë disa eksponentë edhe brenda shoqërisë civile, po të afërt me qeverinë e zotit Kurti, po fatkeqësisht edhe ministra, dhe siç e kemi parë edhe kryeparlamentarja, të cilët financojnë me paratë e taksapaguesve një ekspozitë e cila fund e krye është narracion jo i viktimave, jo i Kosovës, por është narracion kryekëput i Beogradit”, tha Behrami.
Ai gjithashtu shtoi se Qeveria e Kosovës përmes ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla ka ndarë fonde për librin e Shkëlzen Gashit i cili ka përmbajtje të pasakta.
“Dhe kjo, përveç që lëndon viktimat, ka për qëllim po ashtu të rishkruajë këtë histori për çka ne folëm. Qeveria e Kosovës, përmes Donika Gërvallës, ka ndarë fonde për zotin Shkëlzen Gashi, për librin e tij, dhe ky libër përveç që përmban pasaktësi, ka dhe një përmbajtje e cila edhe Beogradit do t’i kishte lakmi. Në librin e tij të financuar nga Donika Gërvalla, dhe së fundmi ekspozita e tij edhe përmes qeverisë së Republikës së Kosovës, shkruan që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë masakra ndaj serbëve. Kjo përveç që është e pavërtetë, është edhe e papranueshme. Një narracion i tillë e dëmton Kosovën përbrenda, por i shërben edhe një herë përpjekjeve të Serbisë dhe të Gjykatës Speciale për të kriminalizuar luftën e për të rishkruar historinë”, tha Behrami.
Mytaher Haskuka, anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut nga Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që Behrami mos ta lidhë ekspozitën me tendenca ndaj Qeverisë.
“Së pari, ne të gjithë jemi për mbrojtjen e vlerave të luftës. Edhe në këtë aspekt është shumë shqetësuese që zoti Behrami po e lidh një ekspozitë të shoqërisë civile me tendencën e qeverisë siç thotë ai. Ne e dimë kush e ka themeluar Gjykatën Speciale, kush e ka votuar e si ka votuar. Ne kemi qenë ata që kemi dalë në rrugë e kemi protestuar e kemi qenë në kundërshtim të kësaj gjykate dhe padrejtësisë që i ka bërë Kosovës me këtë gjykatë, ose rishkrimit të historisë me këtë Gjykatë Speciale”, tha Haskuka.
Ai tha se në 20 vitet e kaluara nuk ka pasur asnjë instancë të gjykatavë të Kosovës për krimet e kryera nga serbët në Kosovë.
“Deri në 20 vite s’ka pasur realisht asnjë instancë të gjykatave të Kosovës për krimet e kryera në Kosovë nga serbët në Kosovë, për shkak se ligji ka qenë që nëse personi nuk është në Kosovë, nuk mund të ngrihet aktpadia ose aktakuza. Kjo ka qenë qeveria Albin Kurti e cila e ka mundësuar këtë. Në këtë periudhë janë dënuar disa serbë për masakrat e kryera në Kosovë.
Edhe ju e thoni, Instituti për Krimet është themeluar. Në këtë periudhë është bërë më shumë për të vërtetën historike dhe për atë që ka kaluar Kosova gjatë luftës edhe gjenocidit serb sesa në 20 vitet e kaluara. 20 vitet e kaluara faktikisht kanë shkuar në amnisti të krimeve të Serbisë. Është folur hapur në Kuvendin e Kosovës nga qeveritë e kaluara për ligjet për amnistinë e kriminelëve serbë, ndërsa tani këta kriminelë serbë janë nëpër gjykatat e Kosovës në rastet kur prokuroria i vazhdon ato. Domethënë, kjo qeveri është ajo qeveri e cila mbron të vërtetën e Kosovës edhe e ka mbrojtur gjithmonë e do të vazhdojë ta mbrojë. Një ekspozitë nuk mund të pasqyrojë idetë e qeverisë. Domethënë, kjo në aspektin e të vërtetës historike e asaj çfarë ka ndodhur.
Po ashtu, ne po flasim për raportimet që Serbia po financon agjendat në Kosovë. Do të jetë cilat agjenda po financohen në Kosovë ku prapë në veriun e Kosovës dalin ish-deputetë e deputetë e flasin që grupi i cili ka sulmuar policinë e ka vrarë policin në Kosovë nuk kanë qenë terroristë. Për këto raste kurrkush nuk po ngre çështje, domethënë, që është diçka shumë shqetësuese. Me thënë që grupi i Radoiçiqit nuk ka qenë terrorist është një problem shumë i madh për Kosovën. Prandaj në këtë rast dua të kërkoj nga deputeti që të kërkojë falje për këto deklarata. Më së paku kërkohet falje për një shoqëri civile ose një organizatë, por edhe duhet me kuptuar që shoqëria civile është shoqëri civile e nuk ka të bëjë asgjë me qeverinë”, tha Haskuka.
Ai përmendi edhe draft-rezolutën e PDK të propozuar dje në seancë të Kuvendit pikërisht ëpr këët çështje, duke thënë se nuk i di arsyet pse kjo e fundit doli nsa salla.
“Nga ana tjetër, ne kemi qenë shumë të gatshëm për rezolutën. Kemi pritur që rezoluta të diskutohet lidhur me këtë çështje, nuk e di pse PDK-ja doli. Po ashtu, ministri Andin Hoti ka qenë në Kuvendin e Kosovës dhe aty ka qenë ora për të diskutuar këtë çështje, por fatkeqësisht edhe deputeti Behrami edhe gjithë PDK-ja lanë sallën e u bënë jashtë. Ne jemi të gatshëm për me i diskutuar këto çështje edhe për rezolutat për mbrojtjen e vlerave të luftës. Andaj mos ta bëjmë “shoë” e mos ta bëjmë për konsum mediatik, por ta bëjmë për të vërtetën e për mbrojtjen e vlerave të luftës”, tha Haskuka.
Ndërsa, Armend Zemaj anëtar i komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se kjo që ka ndodhur me këtë ekspozitë, nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.
“Duhet me e ruajt qëllimin për çka jemi ftuar sot, edhe të sqarojmë të gjitha këto raste që ne i kemi në mundësinë dhe në kompetencën tonë, por edhe që bien edhe në përgjegjësinë e tyre të cilat i kanë financuar nga paraja publike, dhe të shohim çka mundemi ne edhe duke e thirrur ministrin në raportim për të na siguruar si deputetë të zgjedhur që askush, në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë, nuk ka të drejtë të deformojë të vërtetën historike të krijuar në vitet ’98-’99, të cilat akoma kanë lënë pasoja të plagëve të hapura, shumë viktima, shumë të pagjetur. Dhe nuk besoj që shteti i Kosovës, qeveria e Kosovës duhet të lejojë deformimin e historisë, të së vërtetës edhe ngjarjeve të cilat kanë ndodhur dhe janë plagë për shoqërinë e Kosovës, e sidomos shqiptarët që kanë qenë viktimë e luftës ose shovinizmit të Serbisë në vazhdimësi.
Andaj, nuk mundet kjo me kalu pa përgjegjësi, pavarësisht betejave politike. Duhet të ketë saktësi sepse kur financohet nga paratë publike, nga taksat e qytetarëve një dokument, qoftë ai libër, ekspozitë ose gjëra të tjera, kjo tregon edhe seriozitetin se si funksionon dhe si i ndan paratë një qeveri e cila është edhe gardiane e mbrojtjes së taksave të qytetarëve të këtij vendi.
Tash nëse me lehtësi dikush financon lloj-lloj dokumenti ose lloj-lloj libri ose lloj-lloj ekspozite ku dikush mund ta shpërndajë narracionin e të pavërtetës ose narracionin e deformimit të asaj siç është tentuar nga Serbia në vazhdimësi, duke i paraqitur shqiptarët si agresorë dhe jo si viktimë, kjo është tepër e padrejtë, është e pandershme edhe duhet të jetë e dënueshme. Nëse dikush ka mendim tjetër që t’i relativizojë për shkak të asaj që quhet betejë politike, mendoj që është e pandershme edhe nuk i shërben as dinjitetit të viktimave, po as sakrificës së popullit shqiptar të Kosovës.
Unë jam ithtar që ajo që quhet mbrojtje e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe dinjitetit të çdo personi i cili ka qenë pre e çfarëdo krimi në Kosovë duhet të mbrohet, dhe aty nuk kam asnjë dilemë, sepse kështu jemi korrekt me veten tonë, jemi korrekt me sinqeritetin po jemi edhe të ndershëm edhe ruajmë moralin tonë. Por të paraqitemi përmes ekspozitave ku krimet makabre minimizohen, japing devijim ose drejtim në atë që është sulm ndaj luftës çlirimtare, por edhe është sulm ndaj familjeve të viktimave, këtë mendoj që duhet dikush të marrë përgjegjësi. Nuk jam unë që ta quaj këtë si përgjegjësi politike, por përgjegjësi ligjore, përgjegjësi ligjore dhe mos të na ndodhë e mos të na përsëritet në të ardhmen nga kushdo qoftë dhe kushdo që ka përgjegjësi institucionale.
Është e dhimbshme, normal lidhet edhe me shumë tema të tjera, edhe kjo është normale sepse në Kosovën e pasluftës shoqëria është përballur me shumë të pavërteta. Përpos njerëzve që kanë shkruar në mënyrë anonime, ka pasur edhe të tjerë që kanë shpifur nëpër studio mediatike, kanë shkruar edhe libra kundrejt figurave të cilat kanë kontribuar vetëm pse nuk janë pajtuar politikisht, janë munduar t’i denigrojnë. E që kjo pjesë ka pasur edhe shkaktarët e vrasjeve politike të cilat akoma, për çfarëdo krimi, akoma nuk e kanë marrë verdiktin e drejtësisë. Ashtu siç akoma shumë nga këto masakra që kanë ndodhur nuk e kanë marrë dënimin e merituar nga ata të cilët i kanë kryer, përpos dënimeve që kanë qenë në të kaluarën por asnjëra nuk është e evidentuar dhe e saktësuar për çfarëdo ngjarje që ka ndodhur në vitet e luftës”, tha Zemaj./EO