​Taksa 10 euro për hyrje në Prishtinë “shpatë me dy tehe”, mund të shkaktojë “luftë” tarifash

15:50 | 05 Prill 2026
​taksa-10-euro-per-hyrje-ne-prishtine-“shpate-me-dy-tehe”,-mund-te-shkaktoje-“lufte”-tarifash

Propozimi për vendosjen e një takse prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga komunat tjera ka nxitur reagime të shumta. Kjo madje po shihet si kufizim i të drejtave të qytetarëve të Kosovës, i cili mund të krijojë kaos duke i nxitur komunat tjera vendosjen e tarifave për qytetarët e Prishtinës.

Vendosja e kësaj tarife parashihet sipas nenit 14 të rregullores për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale, rregullore kjo e cila tanimë Komuna e Prishtinës e vendosur në dëgjim publik por që ka marrë kundërshtime të shumta si në Kuvendin komunal, ashtu edhe nga komunat tjera.

Sipas propozimit të asaj rregullore, çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga kryeqytetit, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 euro për hyrje. Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala ka kundërshtuar ashpër propozimin për vendosjen e një tarife prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga rajonet tjera, duke e cilësuar si kufizim i të drejtave të qytetarëve.

“Pikë së pari, nuk ka ndonjë bazë ligjore me të cilën Komuna e Prishtinës mund ta vendosë këtë tarifë. Ajo mund të jetë në rregullore, sikur që ka bërë edhe me “Prishtina Parking” që me rregullore një kohë mbledhi para, shqiptoi gjoba, po tash ato gjykata i rrëzoi. Jam shumë i sigurt që edhe këtë tarifë të cilën do ta vendosë eventualisht Komuna e Prishtinës, Gjykata Supreme do ta rrëzojë sepse kjo nuk mund të shkojë në kushtetuese, sepse nuk ka ligj për këtë rregullore. Prandaj është kompetencë e Gjykatës Supreme të marrë një vendim përfundimtar për këtë tarifë”, tha Shala për KosovaPress.

Ai paralajmëroi se një vendim i tillë do të krijonte precedent për komunat tjera dhe do të sillte pasoja të shumta.

“Nëse krijohet një precedent dhe lejohet një tarifë ,andaj edhe çdo qytet do të ketë të drejtë të vendosë tarifë. Ku do të shkojmë ne nëse çdo qytet në Kosovë vendos tarifë për hyrje në atë qytet? Krijohet një kaos, kështu që kjo nuk është asnjë zgjidhje, është zgjidhje kundërligjshme, është një zgjidhje e pazbatueshme. Nuk mundet kryetari i Prishtinës ta marrë modelin e Londrës e ta vendosë në Prishtinë. Londra është tjetër, Prishtina është tjetër. Në Londër paguhet hyrja në zonën e parë të Londrës, por Prishtina është tjetër. Aq më parë që këtu po bëhen gabime që në vend që të krijohen rrugë alternative që do ta lehtësonin trafikun, po mbyllen rrugë”, deklaroi Shala.

Sipas tij, problemet në trafik nuk zgjidhen me tarifa, por me investime në infrastrukturë dhe organizim më të mirë të qarkullimit.

“Domethënë po ka probleme, kështu që më mirë të bëjmë zgjidhje të tilla që të ndërtojmë parkingje në periferi të Prishtinës, parkingje të mëdha, ose të ndërtojmë parkingje diku që kanë kapacitet për pranimin e një numri të madh të veturave, ose fundi i fundit ta zëvendësojmë transportin me një transport alternativ. Për shembull, në vend që të vijnë me makinë, të vijnë me autobus. Le t’i subvencionon qoftë komuna, qoftë ministria dhe atëherë njerëzit kur ta shohin edhe një leverdi ekonomike, ndoshta përcaktohen për një tjetër transport”, u shpreh Shala.

Ai shtoi se nuk ka njohuri për praktika të tilla në vendet e rajonit dhe paralajmëroi pasoja reciproke mes qyteteve.

“Unë nuk e di ndonjë vend të rajonit i cili ka vendosur taksa për hyrje në qytet, sepse prapë kjo është shpatë me dy tehe. Në qoftë se ju e vendosni një taksë për qytetarët që vijnë nga jashtë në Prishtinë, edhe ata të tjerët mund ta vendosin taksën për veturat e Prishtinës që shkojnë atje. Domethënë është menjëherë me një shpejtësi kishin me u ndërmarrë të njëjtat veprime. Dhe mendoj që ky është një veprim i pamenduar mirë që nuk e zgjidh çështjen. Nuk e zgjidh çështjen, por vetëm sa e ngatërron edhe më tepër”, tregoi Shala.

Propozimi për vendosjen e një takse prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga komunat tjera ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues institucionalë dhe politikë. Asamblisti i Partisë Guxo në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeton Mehmeti, ka theksuar se kjo masë cenon barazinë para ligjit. Sipas tij, propozimi për taksën e kryeqytetit prej 10 euro për automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës, në aspektin juridik, është shkelje e parimit të barazisë.

Po ashtu, Gëzim Sveçla nga Vetëvendosje ka ngritur shqetësime për ndikimin e kësaj takse dhe tarifave tjera të parapara. Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike, Luftar Braha, ka theksuar nevojën për ndryshim të rregullores ekzistuese. Së fundmi, kundërshtime ka pasur edhe nga kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, i cili ka ironizuar me këtë propozim.

“Nëse kjo kalon në Komunën e Prishtinës, atëherë unë do të vendos një taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës (vetëm) që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës, si dhe një taksë për hyrjen në rrugën e aeroportit në vlerë prej 10 euro, etj. (çka t’na bjen n’mend ndërkohë)”-thuhet në njoftimin e tij.

Kuvendi Komunal i Prishtinës më 31 mars e ka vendosur në dëgjim publik rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, e cila daton nga viti 2011, ndërsa debati për këtë çështje pritet të vazhdojë. /KP/

Komento: