Albulena Haxhiu: Don Kelmend Spaqi, meshtar dhe patriot që i shërbeu njerëzimit në kohët më të vështira

16:35 | 06 Prill 2026
albulena-haxhiu:-don-kelmend-spaqi,-meshtar-dhe-patriot-qe-i-sherbeu-njerezimit-ne-kohet-me-te-veshtira

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbajtur fjalë rasti në meshën kushtuar Don Kelmend Spaqi, duke e vlerësuar lart figurën dhe kontributin e tij në shërbim të njerëzimit, besimit dhe atdheut.

Në një postim, Haxhiu theksoi se vendi po i jep lamtumirën “një meshtari, por edhe një figure që në momentet më të vështira të historisë sonë u bë muri mbrojtës për jetën dhe dinjitetin njerëzor”. Ajo vlerësoi se veprimtaria e Spaqit është dëshmi e një përkushtimi të plotë ndaj njeriut dhe vlerave themelore. “Për 33 vite meshtarie, Don Kelmendi shërbeu si udhërrëfyes në kohë paqartësie, mbështetje në kohë frike dhe zë i qëndrueshëm i së vërtetës”, ka deklaruar ajo.

Duke rikujtuar rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, Haxhiu theksoi se në pranverën e vitit 1999, në Gllogjan të Pejës, Spaqi hapi dyert e kishës “Shna Ndou”, e njohur si “Kisha e Shpresës”, ku strehoi qindra qytetarë të dëbuar me dhunë.

“Më 4 prill 1999, nën kërcënimin e armës, iu kërkua të ndajë komunitetin katolik prej atij mysliman, por ai u përgjigj se këtu nuk ka as katolikë dhe as myslimanë, por vetëm civilë të pambrojtur”, thuhet në fjalën e saj.

Sipas saj, ky qëndrim ishte dëshmi e një karakteri të ndërtuar mbi vlera të forta kombëtare dhe njerëzore. “Plot guxim, Dom Kelmendi e artikuloi një të vërtetë themelore: se para se të jemi të ndryshëm, jemi njerëz dhe jemi të një vendi”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo vuri në pah edhe shembullin e bashkëjetesës ndërfetare që ai promovoi, duke përmendur rastet kur kambanat e kishës përdoreshin për të lajmëruar iftarin dhe syfyrin për besimtarët myslimanë gjatë luftës. Haxhiu shprehu mirënjohjen institucionale për jetën dhe veprën e tij, duke shtuar se figura të tilla nderohen duke vazhduar vlerat që kanë lënë pas.

“Po e përcjellim në amshim një meshtar dhe patriot që jetën e tij e vuri në shërbim të të tjerëve”, ka përfunduar ajo, duke u shprehur ngushëllime familjes, Kishës Katolike dhe të gjithë atyre që e njohën.

https://www.facebook.com/share/p/1CZEBeG48q/

Komento: