Vjosa Osmani nderon Don Kelmend Spaqin: Shembull i rrallë i guximit dhe humanizmit

18:15 | 06 Prill 2026
vjosa-osmani-nderon-don-kelmend-spaqin:-shembull-i-rralle-i-guximit-dhe-humanizmit

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar figurën e Don Kelmend Spaqi, duke e cilësuar atë si simbol të guximit dhe humanizmit në periudhat më të vështira të vendit.

Përmes një postimi, Osmani kujtoi thënien e Gjergj Fishta, “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë”, duke theksuar unitetin ndërfetar dhe kombëtar.

Ajo bëri të ditur se në fshatin Velezhë është nderuar figura e Spaqit, i cili “përveç si meshtar i devotshëm, do të kujtohet si një figurë e rrallë e guximit dhe humanizmit në kohët më të vështira për vendin tonë”.

Duke rikujtuar kontributin e tij gjatë luftës në Kosovë, Osmani theksoi se gjatë viteve 1998–1999, ai hapi dyert e Kishës “Shna Ndout” për qindra civilë të rrezikuar, pa dallim feje apo përkatësie.

“Në një kohë frike dhe pasigurie, ai zgjodhi të qëndrojë përballë forcave serbe, duke mbrojtur jetën e të pafajshmëve dhe duke dëshmuar se humaniteti është mbi gjithçka”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, Spaqi jo vetëm që shpëtoi jetë, por edhe ndërtoi ura mes njerëzve.

“Me një gjest të thjeshtë por domethënës, kambanat e kishës u bënë thirrje për iftar për besimtarët myslimanë, duke treguar se respekti dhe bashkëjetesa janë vlera që na bashkojnë si komb”, thuhet në postim.

Presidentja bëri të ditur se për kontributin e tij, Spaqi është dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”. “Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në humanizëm, solidaritet dhe unitet, pata nderin ta dekoroj me Medaljen Presidenciale ‘Shën Tereza’”, ka theksuar ajo.

Osmani u shpreh se kujtimi për Don Kelmend Spaqin do të mbetet frymëzim për shqiptarët kudo që jetojnë.

“Në kohë sfidash, shembulli i tij na kujton se forca jonë më e madhe qëndron te solidariteti, te kujdesi për njëri-tjetrin dhe te besimi në vlerat që na bashkojnë si komb”, thotë postimi i saj.

Komento: