Sali Berisha akuzon Edi Ramën për rritje të barrës fiskale dhe manipulim të çmimit të naftës

21:35 | 06 Prill 2026
sali-berisha-akuzon-edi-ramen-per-rritje-te-barres-fiskale-dhe-manipulim-te-cmimit-te-naftes

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mashtrim të opinionit publik dhe rëndim të barrës fiskale mbi qytetarët, gjatë fjalës së tij në “Foltoren” e radhës para Kryeministrisë.

Berisha deklaroi se qeveria po manipulon të dhënat lidhur me çmimin e karburanteve dhe uljen e akcizës, duke theksuar se Shqipëria, sipas tij, ka barrën më të lartë fiskale për naftën në Evropë dhe në botë.

Ai kritikoi mekanizmin e vendosjes së çmimeve nga bordi i karburanteve, duke thënë se çmimi i naftës ka arritur deri në 220 lekë për litër, ndërsa paralajmërimet për ulje akcize i cilësoi si të pavlera. Sipas tij, rritja e TVSH-së e tejkalon çdo ulje të mundshme dhe qytetarëve nuk u kthehet asnjë përfitim real.

Lideri i opozitës hodhi akuza edhe për korrupsion dhe manipulim, duke pretenduar se mediat përdoren për të mbuluar skandalet dhe për të mbështetur qeverinë.

Në fjalën e tij, Berisha përmendi edhe situatën e familjeve të prekura nga përmbytjet në Durrës, duke pyetur nëse ato kanë marrë ndonjë dëmshpërblim, dhe kritikoi institucionet lokale për, siç tha, rritje pagash pa përgjegjësi.

Ai ngriti shqetësime edhe për kostot e studimit, duke deklaruar se studentët shqiptarë paguajnë ndër tarifat më të larta në Evropë, sidomos në raport me të ardhurat. Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin për deklarata të pavërteta lidhur me liberalizimin e vizave, duke e cilësuar këtë si “mashtrim”.

Komento: