
Një person i panjohur dyshohet se ka qenë autor i dy rasteve të njëpasnjëshme në objekte fetare në Kamenicë, ku në njërin rast ka arritur të vjedh para, ndërsa në tjetrin ka dështuar.
Ngjarjet kanë ndodhur më 3 prill në dy fshatra të ndryshëm – Shipashnicë e Poshtme dhe Rogaçicë, ndërsa janë zbuluar më 5 prill pas verifikimit të kamerave të sigurisë.
Siç mëson Sinjali, në rastin e parë në fshatin Shipashnicë e Poshtme, i dyshuari ka depërtuar brenda xhamisë dhe me mjete të forta ka thyer kasafortën, prej nga ka marrë mbi 300 euro në monedha metalike.
Ndërsa në fshatin Rogaçicë, i njëjti person dyshohet se ka hyrë në xhami dhe ka tentuar të hapë kasafortën, por nuk ka arritur dhe është larguar pa marrë asgjë.
Të dy rastet janë denoncuar në polici, ndërsa prokurori kujdestar ka urdhëruar inicimin e rasteve si “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e rëndë në tentativë”.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. /sinjali