Komuna e Gjilanit drejt themelimit të Këshillit të Pacientëve, nënshkruhet memorandum bashkëpunimi

16:50 | 07 Prill 2026
komuna-e-gjilanit-drejt-themelimit-te-keshillit-te-pacienteve,-nenshkruhet-memorandum-bashkepunimi

Në Komunën e Gjilanit është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, me qëllim themelimin e Këshillit të Pacientëve.

Memorandumi është nënshkruar nga drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, dhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, Agron Bytyqi. Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi.

Ky bashkëpunim parasheh një sërë aktivitetesh, përfshirë hartimin e dokumentacionit për funksionalizimin e Këshillit, përzgjedhjen e anëtarëve, monitorimin e punës së tij, si dhe organizimin e aktiviteteve që synojnë adresimin e nevojave dhe shqetësimeve të pacientëve.

Përmes këtij memorandumi synohet fuqizimi i rolit të pacientëve, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore, si dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin shëndetësor. Drejtoresha Mimoza Kadriu Qerimi e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për shëndetësinë primare.

“Sot shënohet një moment i jashtëzakonshëm për qytetarët dhe sistemin shëndetësor: pacienti nuk është më vetëm përfitues i shërbimeve, por bëhet aktor kyç në vendimmarrje”, tha Kadriu.

Ajo theksoi se për herë të parë, përmes këtij mekanizmi, qytetarët do të kenë mundësinë të marrin pjesë aktive në formësimin, monitorimin dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në nivel lokal.

“Sot është bërë një hap i madh, i guximshëm dhe transformues për shëndetësinë primare. E drejta e pacientit po ngrihet në një nivel krejtësisht të ri”, shtoi ajo.

Sipas saj, ky është fillimi i një qasjeje të re, ku qytetari vendoset në qendër të vendimmarrjes në sistemin shëndetësor. /Telegrafi/

Komento: