
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për një takim që pati me emisarin e BE-së, Peter Sorensen, në zyrën e tij në Beograd.
Ai tha se me të pati një “bisedë të thelluar” për “çështjet kyçe që rëndojnë marrëdhëniet në rajon”.
Vuçiq tha se ia ka shprehur “shqetësimet” e tij për për situatën aktuale në Kosovë “me fokus të veçantë te siguria e popullit serb, si dhe te pasiguria e madhe në të cilën ata jetojnë, duke pasur parasysh zbatimin selektiv të rregullave të ndryshme dhe diskriminimin e dukshëm në pothuajse të gjitha sferat e jetës”.
Presidenti serb akuzoi Kosovën për “masa të njënashme” dhe tha se “zbatimi i rregullave pa marrë parasysh rrethanat reale në terren dhe pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz ndaj popullit serb dhe institucioneve jetike serbe në Kosovë”.
Vuçiq i kërkoi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një temë që duket se u zbeh së fundi nga ana e BE’së, e cila më parë kishte këmbëngulur vazhdimisht në themelimin e tij, raporton Gazeta Express.
“Nënvizova se Serbia mbetet e përkushtuar fort ndaj dialogut si e vetmja rrugë e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura, por gjithashtu presim angazhim konkret nga aktorët në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura. Veçanërisht theksova rëndësinë e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si një element kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së popullit tonë, një obligim që duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”.
Vuçiq gjithashtu pretendoi se “veprimet e njëanshme të Prishtinës vazhdojnë të rrisin më tej tensionet dhe të rrezikojnë stabilitetin e brishtë në terren, duke minuar drejtpërdrejt procesin e dialogut”.
“Përsërita se një angazhim i fortë dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Europian është thelbësor për të parandaluar aktivitete të tilla dhe për të siguruar që asnjë veprim të mos jetë i drejtuar drejt pengimit të dialogut, por drejt krijimit të kushteve për zhvillimin e tij të qetë dhe konstruktiv”.
Në fund, ai pretendoi se vendi i tij është “i përkushtuar” ndaj dialogut dhe tha se do të veprojë me përgjegjësi e konstruktivitet, “duke ruajtur interesat e saj kombëtare, por edhe duke kontribuar në stabilitetin e të gjithë rajonit”.
“Shpreha bindjen se komunikimi i hapur dhe i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë është thelbësor për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata në interes të paqes, sigurisë dhe të ardhmes së të gjithë qytetarëve”.