
Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami ka thënë se është absurde ajo që po ndodh me çmimet e naftës në Kosovë.
Bajrami ka thënë se në momentin që u raportua për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, çmimet në Kosovë u rritën menjëherë, por kur situata dje u qetësua dhe çmimet ranë në bursë, tek ne mbetën të njëjtat.
“Pra, për t’u rritur çmimi mjafton një lajm por për t’u ulur, duhet ‘kohë’. Kjo nuk është logjikë tregu, ky është abuzim ndaj qytetarëve. E vërteta është që kjo situatë po tolerohet nga Qeveria, e cila në vend që të mbrojë qytetarët, po e shfrytëzon krizën për të mbushur buxhetin”, ka thënë Bajrami.
“Kemi thënë vazhdimisht: kjo nuk zgjidhet me marzha e çmime tavan që nuk kontrollohen dot. Problemi është shumë më i thellë: mungesë vullneti për të ulur taksat, mungesë menaxhimi dhe mungesë analizë të të dhënave. Sot, nuk ka as të dhëna bazike: Sa naftë ka në tregun vendor kur rriten çmimet? Me çfarë çmimi është importuar dhe a po shitet më shtrenjtë? Nëse çmimi lëviz në bursë, Qeveria duhet të dijë saktësisht: sa është stoku i naftës dhe me çfarë çmimi është blerë. Ky informacion ekziston në Doganë, por nuk përdoret. Kjo do të thotë se vendimet nuk bazohen në të dhëna, por në reagime të vonuara dhe selektive. Ndërkohë që Qeveria vendosë marzhat dhe garanton fitimin për tregtarë, refuzon të ulë TVSH-në dhe akcizën, dy komponentët kryesorë të çmimit.Sa më i lartë çmimi, aq më shumë para mbledh shteti. Sot, për çdo litër naftë, buxheti merr 13–15 cent më shumë taksa sesa para krizës. Ky është ‘fitimi’ i Qeverisë nga kriza”, ka thënë Bajrami.
Masat janë të mundshme:
– Raportim ditor për stokun dhe çmimin e importit,
– Reflektim real i çmimeve në kohë, jo abuzim me stokun e vjetër,
– Ulje e TVSH-së dhe akcizës,
Nafta është burim inflacioni. Nëse nuk e stabilizon çmimin e saj mënhëherë, çdo ndihmë pas inflacionit vetëm e ushqen këtë të fundit.
Po një gjë duhet të dihet qartë se problemi nuk është mungesa e mjeteve për reagim, problemi është mungesa e vullnetit.