Pushteti në veri, Konjufca: Përpjekjet tona janë për një ambient të sigurt

17:30 | 09 Prill 2026
pushteti-ne-veri,-konjufca:-perpjekjet-tona-jane-per-nje-ambient-te-sigurt

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, gjatë një adresimi në seancën për punën e UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i bëri thirrje Serbisë që të përballet me realitetin dhe të njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Në fjalën e tij, Konjufca theksoi se funksionimi i qëndrueshëm i një shoqërie lidhet ngushtë me kohezionin social dhe respektimin e një kuadri të përbashkët ligjor.  Ai nënvizoi se angazhimi i institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të vendit synon forcimin e sigurisë dhe trajtimin e kërcënimeve ekzistuese.

Sipas tij, këto përpjekje kanë për qëllim krijimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike. Konjufca gjithashtu theksoi se qytetarët e Kosovës duhet të jetojnë në paqe dhe pa presione.

“Funksionimi efektiv i një shoqërie mbështetet në kohezionin social dhe integrimi në një kornizë të përbashkët ligjore, kjo është një kornizë që shumë nga ju këtu në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, operojnë në këtë kuadër, pra kur bëhet fjalë për mbrojtjen e pakicave”.

“Përpjekjet tona në pjesën veriore të Kosovës, për të ofruar siguri e për të adresuar kërcënimet, kanë për synim që të sigurojnë një ambient stabil e të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh prapavijën e tyre etnike, ashtu që qytetarët tanë të arrijnë të jetojnë në paqe dhe pa presion nga strukturat e paligjshme të Serbisë”, tha ai.

Komento: