Diploma dhe licenca profesionale të falsifikuara -Zbulohet “laboratori” i dokumenteve në Tiranë, arrestohet 51-vjeçari

16:15 | 10 Prill 2026
diploma-dhe-licenca-profesionale-te-falsifikuara-zbulohet-“laboratori”-i-dokumenteve-ne-tirane,-arrestohet-51-vjecari

Policia ka zbuluar një ambient në Tiranë, i cili ishte përshtatur si laborator për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, si dhe licencave profesionale.

Sekuestrohen qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme, që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale. Vihet në pranga një shtetas.

Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Laboratori”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. T., 51 vjeç.

Gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, në Zall-Bastar, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve, programeve master dhe licencave profesionale.  Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Komento: