
Në ambientet e kazermës “Lidhja e Prizrenit” në Prizren, të premten u mbajt ceremonia e përfundimit të kursit “Pastrimi i fushëbetejave dhe çminim bazik”, ku u certifikuan 17 specialistë të rinj të çminimit, të cilët tashmë i shtohen radhëve të Kompanisë së Deminimit.
Sipas njoftimit të FSK-së, ky trajnim zgjati gjashtë javë, ndërsa kishte për qëllim përgatitjen profesionale të pjesëtarëve të rinj në përdorimin e pajisjeve përkatëse dhe në zbatimin e procedurave bazë të punës në procesin e çminimit.
Kolonel Ahmet Ajeti, në emër të ministrit të Mbrojtjes, uroi kursantët e rinj me, siç tha, dëshirën që të punojnë me zell dhe përkushtim.
Ndërkaq, në emër të KOMFSK, u.d. SHSHPFSK Kolonel Astrit Haliti ka përcjellë urimet më të sinqerta nga zinxhiri komandues i FSK-së duke uruar deminerët e rinj në misionin e tyre fisnik.