Osmani përfundoi mandatin pesë vjeçar, “përplasje” në qëndrime nga partitë politike për punën e saj

09:35 | 11 Prill 2026
osmani-perfundoi-mandatin-pese-vjecar,-“perplasje”-ne-qendrime-nga-partite-politike-per-punen-e-saj

Mandati pesëvjeçar i Vjosa Osmanit në krye të Presidencës së Kosovës ka përfunduar të shtunën e kaluar, duke ngritur pikëpyetje për bilancin e udhëheqjes së saj si presidente.

Nga vlerësimet për bashkëpunim korrekt institucional deri te kritikat për mungesë të arritjeve në arenën ndërkombëtare, përfaqësues të partive politike japin qëndrime të ndryshme lidhur me performancën e saj gjatë kësaj periudhe, raporton Ekonomia Online.
Shefja e grupit Parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci pa dashur të komentoj punën e Osmanit, u shpreh për Ekonomia Online se Qeveria ka pasur bashkëpunim korrekt me Osmanin.
“Mendoj që qeveria e Republikës së Kosovës ka pasë një bashkëpunim korrekt institucional me presidenten në raport të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive që i kemi pasë të dy palët. Në këtë linjë, tashmë ka përfunduar mandati i zonjës Osmani si presidente, kemi zonjën Albulena Haxhiu, ushtruese të detyrës së presidentes dhe në këtë fazë konsideroj që është tepër e rëndësishme që të vazhdojmë me punë, ndërkohë që si kuvend të gjejmë zgjidhjen për presidentin, presidenten e re të Republikës së Kosovës, ndërkohë që për analiza të detajuara mendoj që do të kemi kohë tutje të flasim”, u shpreh ajo.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavil Haliti në një intervistë për Ekonomia Online thotë se rrugëtimi i Osmanit në fillimet e saj ka qenë pozitiv.“Tani po mendoj që mandati i saj në fillim ka qenë për Kosovën shumë pozitiv, sepse një femër, një grua, një nënë dhe një intelektuale është bërë presidente e Kosovës, pa pasur domethënë problemet me të kaluarën. Sidoqoftë, ajo është përpjekur me kry detyrën siç ka menduar vetë, por kur njeriu ka një detyrë shtetërore nuk mundet me ndërtua gjithçka siç dëshiron vetë, por duhet me iu nënshtrua disa proceseve të cilat janë të domosdoshme. Janë të domosdoshme për të arritur me kry detyrën e vet në përputhje me kushtetutën dhe ashtu siç është dhe për çfarë është zgjedhur, siç ka premtuar”, tha ai.Deputeti u shpreh se përplasjet me kryeministrin Albin Kurti kanë qenë të kushtueshme për Osmanin.Ndërsa, tha se gjatë kohës së saj nuk ka pasur ndonjë të arritur në arenën ndërkombëtare.

“Tani, s’kisha me thënë që nuk ka bërë përpjekje, por është ndeshur, është ndeshur dhe ka qenë mendoj e pafuqishme për të ndërtuar politikën e vet. Dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje për të ndërtuar politikë shtetërore, por angazhimi i saj ka qenë më shumë profesional sesa si politikë shtetërore. Kur e them këtë bazohem në mënyrën dhe qëndrimet që ka pasur kryeministri dhe qeveria dhe qëndrimet që ka pasur Vjosa Osmani në raport me marrëdhëniet dhe në qëndrimet që kemi pasur qoftë brenda vendit, qoftë jashtë vendit me perëndimin. Dhe mendoj që përplasjet e saj me kryeministrin veçanërisht në dy vjetët e fundit kanë qenë përplasje të cilat i kanë kushtuar edhe asaj vet në karrierën e saj ose në mospropozimin e saj për të qenë për t’ju vazhduar mandati si presidente. Kosova nuk ka pasur asnjë të arritur në arenën ndërkombëtare sepse e arritura që do shënohet në historinë e Kosovës nuk janë pjesëmarrja në konferenca dhe në vaksina, por të arriturat janë… shënohen dhe mbesin në histori kur ka të arritur”, u shpreh tutje ai.Haliti theksoi edhe të arriturën siç e quan ai “më të madhe” që sipas tij është më negativja për Kosovën

.“E arritura më e madhe që nuk do harrohet për të keq është marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, sanksionet ndaj Kosovës dhe pamundësia për të krijuar qeverinë për më shumë se një vit dhe tani, tani prapë po shkohet në atë variant. Unë nuk kam parë ndonjë të arritur, për shembull, strategjikisht Kosova duhet me bë përpjekje të mëdha, të mëdha që pavarësinë e Kosovës me e pranu edhe pesë shtete evropiane që nuk e kanë pranu. Mendoj që politika e jashtme duhet me qenë e koncentruar këtu dhe duhet me shpenzu kohë, mund, lidhje, jo vetë veç vetë me marrë përsipër diçka me bë sepse shkova në një konferencë dhe u fotografova në korridor ose duke ngrënë drekë siç është zakoni që hanë drekë të gjithë kur janë konferenca dhe me e shit si sukses nëpër portalet e Kosovës dhe në fakt, në fakt rezultati dihet çfarë është”, thotë tutje deputeti.Haliti tha se ish-presidentja nuk ka realizuar takime të mjaftueshme protokollare, duke thënë se Kosova nuk ka politikë shtetërore të përcaktuar.“Pra, përjashtimisht kisha me thënë që nuk ka pushuar, por endjet nëpër takime veçanërisht jashtë Kosovës nuk kanë qenë takime protokollare, nuk kanë qenë takime në kuptimin e asaj takime me homologë, president me president, rrallë ndonjë takim ka qenë, e aq më pak në shtetet perëndimore të cilat kanë fuqi dhe influencë në politikat ndërkombëtare nuk ka pasur takime po thom protokollare dhe në variantin e takimit shtet me shtet sepse kjo Vjosa ka qenë i vetmi person që e përfaqëson shtetin e Kosovës. Andaj, arsyet nuk janë të metat e saj, arsyet janë pikërisht tek çështja që e thashë më parë që Kosova akoma nuk ka politikë shtetërore të përcaktuar dhe të parapërcaktuar dhe të miratuar dhe e cila zbatohet dhe është e obligueshme për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet e Kosovës”, shton Haliti.

Time Kadrijaj, deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për Ekonomia Online pati vlerësime pozitive ndaj Osmanit duke e krahasuar me udhëheqjen e qeverisë, që sipas saj kjo e fundit ka pasë “zero përformancë”

.“Fillimet e para ne kemi pasë hezitimet tona se normal u zgjodh presidente prej votave të Lëvizjes Vetëvendosje, po normal edhe prej deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ne i kemi pasë hezitimet tona që kanë qenë normale sepse e kemi parë që shpeshherë i ka qëndruar afër qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje. Po duke e parë që qeveria ka pasur zero performancë me katër vjet mandat, bile bile gati edhe një vit që e kanë mbajtur, megjithatë në politikën e jashtme ka pasur disa zhvillime, ka pasur disa njohje që ne në fakt i kemi përshëndet. Asnjëherë çdo arritje për Kosovën është arritje edhe prej neve dhe ajo që ka qenë më kryesorja është anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes që ne e kemi përshëndet, e kemi falënderuar, bile kryetari Haradinaj ka shkuar edhe në takim edhe që kemi thënë që momentin që do të sillet, nëse sillet në Kuvend për t’u votuar, ne do e votojmë njëjtë sikurse i votojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që e kemi parim edhe që jemi zotuar, tha Kadrijaj.

Vjosa Osmani ka përfunduar rrugëtimin e saj si presidente e Republikës së Kosovës më katër prill të këtij viti.Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës më 4 prill 2021, zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë.Në adresimin e saj të parë pas zgjedhjes, Osmani tha para deputetëve se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe.“Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur më 14 shkurt po jetësohet”, tha Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit, ishte personi më i votuar, duke siguruar mbi 300 mijë vota.

Komento: