Aeroportet evropiane probleme me furnizimin e karburanteve, pritet të ketë telashe me udhëtime gjatë verës

13:55 | 11 Prill 2026
aeroportet-evropiane-probleme-me-furnizimin-e-karburanteve,-pritet-te-kete-telashe-me-udhetime-gjate-veres

Kreu i Këshillit të Aeroporteve Ndërkombëtare të Evropës, Olivier Jankovec, ka paralajmëruar Bashkimin Evropian për një “mungesë sistematike të karburantit të avionëve”, e cila, sipas tij, mund të arrijë në nivele kritike brenda tre javësh si pasojë e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.

Në një deklarim publik të publikuar në media të ndryshme , Jankovec theksoi se kjo situatë paraqet rrezik serioz për sezonin veror të udhëtimeve, duke shtuar se një krizë e tillë mund “të dëmtojë ndjeshëm ekonominë evropiane”, veçanërisht sektorin e aviacionit dhe turizmit.

Ai u bëri thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që të ndërmarrin masa konkrete, përfshirë organizimin e blerjeve kolektive të karburantit për vendet anëtare, monitorimin e vazhdueshëm të rezervave dhe identifikimin e burimeve alternative të furnizimit me karburant, si pjesë e një strategjie të koordinuar.

Në anën tjetër, Task-Forca e Bashkimit Evropian për Energjinë ka deklaruar se aktualisht nuk ekziston “rrezik i menjëhershëm për sigurinë e furnizimit me naftë dhe gaz” si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme, duke vlerësuar se nuk ka nevojë për lirimin e stoqeve shtesë në këtë fazë.

Megjithatë, ky mekanizëm ka paralajmëruar për rreziqe të mundshme në afat më të gjatë, duke theksuar se “karburanti i avionëve mbetet shqetësimi kryesor”, kryesisht për shkak të varësisë së lartë nga importet dhe ndjeshmërisë së tregut ndaj krizave gjeopolitike.

Komento: