
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar Heroit të Kosovës, Agim Ramadanit.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka vlerësuar rolin e Katanës në luftë, duke theksuar se ai i dha vulë betejës së Koshares, së bashku me Sali Çekaj dhe Xhemajl Fetahaj.
“Në akademinë përkujtimore kushtuar Heroit të Kosovës, Agim Ramadani, kujtuam dhe nderuam trimërinë e pashembullt të tij. Ai ndoqi deri në frymën e fundit betimin e tij për të mos vdekë pa luftuar! Agim Ramadani i dha vulë betejës së Kosharës, së bashku me Sali Çekaj e Xhemajl Fetahaj, duke e bërë atë unike dhe të pavdekshme”, ka shkruar Haradinaj.
Ai njëherësh, shkroi se beteja e Koshares mbetet unike dhe e pavdekshme, ndërsa janë kujtuar edhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së që, sipas tij, do të mbeten përherë në kujtesën kolektive si heronj të thyerjes së kufirit mes shqiptarëve.
Kujtojmë sot trimat e UÇK-së që, krahas komandant Katanës, do të kujtohen përherë si heronjtë e thyerjes së kufirit mes shqiptarëve: Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi, Rifat Çelaj, Arben Jusufi, Driton Veliu, Emri Curri, Harun Beka, Rifat Salihaj, Rrahman Tafa dhe Sylejman Shala. Liria do të jetojë deri sa të kujtojmë ata që u sakrifikuan në themelet e saj. Lavdi!”, thotë i pari i AAK-së