Kryetari i Kllokotit dhe mjeku Ademi lirohen nga akuza për falsifikim të fletëlëshimit nga QKUK

14:25 | 12 Maj 2026
kryetari-i-kllokotit-dhe-mjeku-ademi-lirohen-nga-akuza-per-falsifikim-te-fleteleshimit-nga-qkuk

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj kryetarit të Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq dhe mjekut Bekim Ademi, lidhur me akuzën për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.

Mjeku Ademi ngarkohej se kishte falsifikuar një dokument (fletëlëshim) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), që Dejanoviq ta përdorë si arsyetim për mungesën në një seancë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës, Ademi përpiloi fletëlëshimin dhe në të vendosi të dhëna të pasakta kinse Dejanoviq ka qëndruar në regjim shtrati në Spital nga 28 deri më 30 gusht 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të martën nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Rrahman Beqiri dhe anëtarët Kushtrim Shyti dhe Donikë Shala-Abdyli.

Shpenzimet e procedurës bien në barrë të Gjykatës.

Dy të akuzuarit ishin të pranishëm në shpallje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, më 30 gusht 2021 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Bekim Ademi, në cilësinë e mjekut në Klinikën Kardiovaskulare, me dashje falsifikon dokumentin zyrtar- fletëlëshimin e datës 30 gusht 2021, me qëllim që t’i ndihmojë të pandehurit Bozhidar Dejanoviq- kryetar i Komunës së Kllokotit, që të shtyjë seancën gjyqësore të 31 gushtit 2021.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se Ademi dhe Dejanoviq dakordohen në telefon, ku më 28 gusht 2021, Ademi në cilësinë e kujdestarit në Klinikë e pranon në Spital Dejanoviqin kinse për kontroll mjekësor, duke e vendosur në regjim shtrati, por se në të njëjtën ditë i pandehuri Dejanoviq pasi që të regjistrohet në repart largohet nga Spitali, kurse Ademi përpilon dokumentin zyrtar- fletëlëshimin dhe në të vendos të dhëna të pasakta kinse Dejanoviq ka qëndruar në regjim shtrati në Spital nga 28 deri më 30 gusht 2021.

Këtë fletëlëshim, Ademi thuhet se ia jep të akuzuarit Dejanoviq, e më pastaj ky i fundit ia dorëzon avokatit dhe krejt në fund avokati e dorëzon në gjykatë, duke kërkuar shtyrje të seancës. Propozimi i avokatit ishte aprovuar, duke u shtyrë seanca për datë tjetër.

Prandaj, për këto veprime Ademi ngarkohej me veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 427, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Në pikë e dytë të aktakuzës, thuhet se Dejanoviq më 30 gusht 2021 në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin Special, në cilësi të të pandehurit e vë në lajthitje kryetarin e trupit gjykues, duke e përdorur dokumentin e falsifikuar, me qëllim të arsyetimit të mungesës së tij në seancë dhe shtyrje të seancës.

Dejanoviq ngarkohej se më 30 gusht 2021 shkon në QKUK e merr fletlëshimin me të dhëna të falsifikuara sa i përket nënshkrimit dhe përmbajtjes, duke pretenduar se ishte i shtrirë në Spital nga 28 gushti 2021 e deri më 30 gusht 2021 dhe të njëjtin dokument ia dorëzon avokatit, ku avokati dokumentin e përcjellë pastaj në gjykatë në seancën e 31 gushtit 2021, duke e arsyetuar mungesën e të akuzuarit kinse kishte probleme shëndetësore.

Me këtë, Dejanoviq për këto veprime ngarkohej me veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 395, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Komento: