
“Ata kanë xhipa, ne duam trotuare”, ishte një nga deklaratat më të njohura të Albin Kurtit gjatë kohës sa ishte në opozitë, duke kritikuar ashpër shpenzimet e qeverive të mëparshme për automjete zyrtare.
Megjithatë, pas ardhjes në pushtet, qasja ndaj automjeteve zyrtare duket se ka ndryshuar.
Zyra e Kryeministrit ka lidhur një kontratë të re për marrjen me qira të automjeteve për nevojat e institucionit. Sipas njoftimit të publikuar në platformën e prokurimit publik, vlera e kontratës arrin në 58 mijë e 968 euro për dy autmojete sportive-terren (SUV), raporton GAZETA10.

Nga dokumentacioni i prokurimit shihet se kontrata do të jetë në fuqi për një periudhë prej 26 muajsh.
Kjo nuk është hera e parë që shpenzimet për veturat zyrtare tërheqin vëmendje.
Gjatë vitit të kaluar u raportua se institucionet qendrore dhe lokale kanë shpenzuar mbi 16 milionë euro për blerjen dhe marrjen me qira të automjeteve.
Këto shpenzime janë realizuar gjatë katër viteve të fundit. /GAZETA10/