
Analisti politik Visar Xani, i ftuar në emisionin Gazeta në Kanal 10, ka ndarë një rrëfim personal nga koha e luftës në Kosovë, duke kujtuar ngjarjet që lidhen me zhdukjen e grupit prej 23 intelektualëve shqiptarë.
Xani tha se në atë kohë në mesin e popullatës qarkullonin informacione të ndryshme për fatin e grupit.
“Në atë kohë flitej se fshatarët lokalë i kishin zënë në pritë. Gjithashtu thuhej se dy ose tre persona kishin shpëtuar. Nuk e kam ditur se cili prej tyre kishte shpëtuar. Njëri prej tyre ishte ish-kryetari i Mitrovicës”, tha Xani.
Ai rrëfeu se luftën e përjetoi si fëmijë, duke kujtuar se ishte vetëm 13 vjeç kur ajo filloi dhe 14 vjeç kur përfundoi.
“Kur ka filluar lufta kam qenë 13 vjeçar, ndërsa kur përfundoi isha 14 vjeç. Kam pasur fatin ta përjetoj luftën që nga ditët e para”, u shpreh ai.
Sipas Xanit, një nga kujtimet më të hershme është periudha pas masakrës së Likoshanit, kur Drenica ishte shndërruar në zonën kryesore strategjike të përballjes mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.
“Kur ndodhi masakra në Likoshan, shtëpia jonë në Drenicë ishte në pjesën kryesore strategjike të UÇK-së, por edhe të forcave serbe. Përjetimi im i parë nga lufta ishte pikërisht në atë periudhë, kur për herë të parë pashë Adem Jasharin dhe Hamzë Jasharin, të cilët merrnin pjesë në aksione”, rrëfeu ai.