“Nëse duan, gjithçka zbulohet” Ademi-Vokshi kërkon më shumë presion për të zhdukurit tek ndërkombëtarët

19:35 | 29 Korrik 2026
“nese-duan,-gjithcka-zbulohet”-ademi-vokshi-kerkon-me-shume-presion-per-te-zhdukurit-tek-nderkombetaret

Edhe nëse do marrë përgjigje për fatin e vëllait të saj, Kirigu Adem Ademi, Lutfije Ademi-Vokshi thotë se angazhimi i saj për çështjen e personave të zhdukur nuk do të përfundojë.

Në emisionin Gazeta të Kanal10, Ademi-Vokshi  thekson se çdo familje meriton ta dijë të vërtetën për më të dashurit e saj dhe se do të vazhdojë të jetë zë i familjarëve të personave të zhdukur.

“Besoj që secili duhet ta gjejë përgjigjen dhe besoj se derisa të gjendet i fundit që është i zhdukur, do të punoj në atë drejtim. Puna ime nuk do të përfundojë këtu, edhe pse e kam gjetur vëllain tim. Do të vazhdoj të jem në kontakt me familjarët, me Komisionin Qeveritar dhe me të gjithë ata që janë të përfshirë, sepse duhet ta ngremë zërin”, u shpreh ajo.

Ademi-Vokshi u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të rrisin presionin ndaj mekanizmave ndërkombëtarë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Ne duhet t’i bëjmë trysni qeverisë sonë, ndërsa qeveria jonë duhet të bëjë trysni ndaj ndërkombëtarëve. Ndërkombëtarët e dinë ku janë vendet. Nëse duan, gjithçka zbulohet”, tha ajo.

Komento: