Flick shpjegon se pse Rodri s’po luan titullar te Barcelona

11:48 | 01 Shtator 2026

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick e ka pranuar se përforcimi i madh i mesfushës, Rodri, ende nuk e ka arritur formën fizike të nevojshme për të qenë titullar në La Liga.

Trajneri gjerman po përballet gjithashtu me një dilemë taktike për mënyrën se si fituesi i “Topit të Artë” 2024 do të funksionojë së bashku me Pedrin, duke zhvilluar edhe diskutime për t’i përcaktuar rolet e tyre.

Barcelona e ruajti startin perfekt në sezonin e La Ligës me një fitore bindëse 5-2 ndaj Rayo Vallecanos, në një ndeshje spektakolare me shtatë gola në “Camp Nou”.

Pavarësisht se e panë veten në disavantazh në fillim, katalanasit e treguan edhe një herë forcën e tyre në sulm, me Raphinhën dhe Lamine Yamalin që i shënuan nga dy gola dhe ia siguruan ekipit nëntë pikë nga nëntë të mundshme.

Megjithatë, pavarësisht profilit të tij të jashtëzakonshëm, përforcimi i madh i mesfushës, Rodri, u detyrua sërish ta nisë ndeshjen nga bankina, shkruan “Gazeta Express”.

Reprezentuesi spanjoll po e kalon aktualisht një periudhë të kontrolluar integrimi, ndërsa po punon për ta arritur gjendjen optimale fizike dhe për t’u përshtatur me skemën e re taktike.

Duke folur për vendimin për ta lënë përforcimin e tij të madh jashtë formacionit titullar, Flick ishte i drejtpërdrejtë në lidhje me gjendjen aktuale fizike të mesfushorit pas transferimit të tij nga Manchester City.

“Natyrisht, ai duhet të përmirësohet fizikisht. Ne e dimë këtë, sepse ai sapo ka ardhur dhe ka vetëm dhjetë ditë që është me ne. Por, në fund, për mua është e rëndësishme mënyra se si reaguam pas golit”, shpjegoi trajneri i Barcelonës.

Përtej çështjes së gjendjes fizike, një tjetër dilemë e rëndësishme taktike ka dalë në pah në lidhje me partneritetin mes Rodrit dhe Pedrit.

Sipas një raportimi të “El Nacional”, Rodri së fundmi e ka zhvilluar një takim me Flickun për të diskutuar se si dy mesfushorët mund të luajnë së bashku pa ia kufizuar ndikimin individual të njëri-tjetrit, duke i shmangur përplasjet pozicionale që i kanë pasur herë pas here edhe gjatë aktivizimit me kombëtaren e Spanjës.

Flick e ka përgatitur një plan të qartë për ta maksimizuar potencialin e të dyve, duke e kërkuar një ndarje të rreptë të detyrave në mënyrë që të mos pozicionohen në të njëjtat zona të fushës.

Sipas këtij plani, Rodri do të qëndrojë më prapa për të dhënë ekuilibër dhe stabilitet në mesfushë, ndërsa Pedri do të ketë liri të plotë për të lëvizur mes linjave.

Rodri raportohet se është i gatshëm ta përshtatë mënyrën e tij natyrale të lojës dhe t’i frenojë instinktet e tij për t’u përfshirë në sulm, në mënyrë që partneriteti me Pedrin të funksionojë sa më mirë.

Pas tri fitoreve radhazi, Barcelona tani e zhvendos vëmendjen te një udhëtim i vështirë në “Mestalla”, ku të dielën do të përballet me Valencian.

Komento: