
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2026–2027 është aprovuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë së Kosovës.
Sipas ministrisë, përmes këtij programi planifikohet ndarja e rreth 15 milionë eurove për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm.
Programi synon të mbështesë ekonomitë familjare që janë pjesë e sistemit të mbrojtjes sociale dhe të sigurojë qasje të barabartë në energjinë elektrike si shërbim esencial.
Ministria ka bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të nënshkruhet vendimi që përcakton kushtet dhe kriteret për përfitim, në mënyrë që më pas të hapet edhe thirrja për aplikim.
Programi fokusohet në mbështetjen financiare përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike, ndërsa lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.