
Policia e Kosovës ka konfirmuar se IPK, ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë policorë.
Në mesin e të suspenduarve është edhe togeri Faruk Muqolli, me të cilin Arlinda Zekaj kishte komunikuar para vrasjes së saj. Të suspenduar janë edhe dy komandantë policorë.
Në komunikatën e publikuar të enjten, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vendimi për suspendimin e 11 zyrtarëve është marrë bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, udhëzimin administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
“Policia e Kosovës, bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, Udhëzimin Administrativ për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës, si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka suspenduar 11 (njëmbëdhjetë) zyrtarë policorë, lidhur me trajtimin e rastit të viktimës A. Z, të ndodhur në Vitomiricë të Pejës”, thuhet në komunikatë.
Përveç drejtuesve të Policisë në Pejë, janë suspenduar edhe shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor të Pejës, ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës në këtë stacion, komandanti i Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.
Policia ka bërë të ditur se ndaj zyrtarëve është duke u zhvilluar hetim paraprak nga IPK-ja, për të shqyrtuar veprimet ose mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit.
“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta publike, veçanërisht pas raportimeve se ajo kishte kërkuar mbrojtje institucionale para se të vritej. Më 22 tetor, tri ditë para vrasjes, ajo u kishte dërguar institucioneve përgjegjëse një shkresë, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente.
Në vëmendje të opinionit publik kanë qenë edhe audio-incizimet e publikuara në media, në të cilat dëgjohet komunikimi i Zekajt me togerin Faruk Muqolli, ku ajo kërkon zbatimin e vendimit për urdhërmbrojtje.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar edhe kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila e kishte trajtuar rastin. Për të dyja janë iniciuar procedura disiplinore.
Po ashtu, Kuvendi i Kosovës ka themeluar me 90 vota për Komisionin Hetimor Parlamentar, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Ja disa nga personat e suspenduar :
Agron Hasanaj – Drejtor rajonal i Policisë në Pejë.
Ndue Nikolla – Major, shef i Hetimeve Rajonale.
Faik Jahmurataj – Kapiten, komandant i Stacionit Policor në Pejë.
Dervish Hasanaj – Zëvendëskomandant dhe shef i Operativës në Stacionin Policor në Pejë.
Sami Lekaj – Komandant i Nënstacionit Policor në Vitomiricë.
Faruk Muqolli – Shef i Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë.