Pamje e rrallë në samitin në Kinë – Putini merr me vete valixhen bërthamore

23:31 | 18 Nëntor 2026

Një pamje e rrallë nga samiti i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po mbahet në qytetin kinez Shenzhen, ka tërhequr vëmendjen pasi kamerat kanë filmuar një pjesëtar të delegacionit rus duke mbajtur valixhen bërthamore të presidentit Vladimir Putin.

Pamjet, të publikuara nga televizioni shtetëror rus, tregojnë një oficer të marinës ruse duke bartur një valixhe të zezë, e cila u identifikua si pajisja përmes së cilës presidenti rus mund të komunikojë me komandën e forcave strategjike bërthamore të vendit.

Gazetari rus Jevgenij Popov, i cili po raportonte nga samiti, e vuri re oficerin dhe e pyeti nëse po mbante valixhen bërthamore. Oficeri e konfirmoi këtë, duke e bërë të qartë se bëhej fjalë pikërisht për pajisjen që shoqëron vazhdimisht presidentin rus.

Putini u poshtërua në mënyrë elegante në Kinë

Valixhja, e njohur me emrin Çeget, është pjesë e sistemit të komandimit bërthamor të Rusisë. Ajo nuk përmban një buton për lëshimin e raketave, por mundëson komunikimin e presidentit me strukturat ushtarake përgjegjëse për arsenalin bërthamor.

Pajisja zhvillohet që nga fillimi i viteve 1980 dhe zakonisht bartet nga një oficer i marinës, i cili qëndron pranë presidentit rus. Shfaqja e saj në pamjet televizive është relativisht e rrallë.

Putini po merr pjesë në samitin e APEC-ut për herë të parë që nga viti 2017. Në këtë aktivitet janë të pranishëm edhe presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti kinez, Xi Jinping.

Samiti në Shenzhen ka vëmendje të veçantë për shkak të takimeve mes tre liderëve, në një kohë kur tensionet ndërkombëtare dhe çështjet e sigurisë bërthamore mbeten në qendër të zhvillimeve gjeopolitike. /Telegrafi/

Komento: