A do të bashkëpunojnë me Qeverinë Hoti, flasin nga PSD-ja

19:43 | 07 Tetor 2020

PSD-ja tregon se po bashkëpunon me Qeverinë Hoti.

Partia Socialdemokrate ka mohuar se është duke bashkëpunuar me partitë e koalicionit qeveritar. Zëdhënësja e kësaj partie Natyra Kuçi i ka mohuar shkrimet se kjo parti po bashkëpunon me Qeverinë.

“Raportimet se PSD po vazhdon të bashkëpunojë me partitë në qeveri është i pavërtetë. Asnjë prej mediave që e nxorrën këtë “lajm” nuk e ka kontaktuar PSD-në para publikimit. Aida Dërguti dhe Shqipe Pantina ka një kohë të gjatë që nuk janë të angazhuara në asnjë prej forumeve udhëheqëse të PSD-së. Gjithsesi, Aidës dhe Shqipes i dëshirojmë sukses në rrugën e tyre dhe besoj që do të jenë vlerë e shtuar në cilindo fushë të jetës publike në të cilën zgjedhin të angazhohen”, ka shkruar Kuçi.

Reagimi i saj vjen pas lajmit se eksponentë dhe familjarë të partisë e cila udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ia kanë mësyrë për t’u bërë diplomatë. Partia Socialdemokrate nuk kishte arritur të merrte asnjë ulëse në Kuvend nga koalicioni me AAK-në në zgjedhjet e 6 tetorit, as nuk i ishte ndarë ndonjë ministri. Por, megjithëkëtë, Ramush Haradinaj dhe PSD-ja nuk e kishin shkëputur bashkëpunimin.

Ish-kandidatja për deputete nga kjo parti, Shqipe Pantina, pritet të propozohet ambasadore në Japoni, me çelës diplomatik. Në garë për t’u bërë pjesë e shërbimit diplomatik është edhe gruaja e ish-kryeministrit Haradinaj, Anita.

Para tre muajsh Ministria që drejtohet nga Meliza Haradinaj (AAK) ka hapur konkurs për 15 nëpunës, të cilët do të shpërndahen nëpër misione konsullore. “Koha Ditore” merr vesh se Anita Haradinaj, gruaja e ish- kryeministrit Haradinaj, si dhe ish deputetja e PSD-së, Aida Dërguti, janë në proces të rekrutimit.

Dërguti ka thënë se ka konkurruar si çdo qytetarë në një konkurs publik të Ministrisë së Jashtme dhe se lidhja që ka bërë gazeta “Koha Ditore” me PSD-në është e paqëndrueshme pasi nuk është pjesë e kësaj partie politike.

“Unë ju kam nënshtruar të gjitha testeve të konkursit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Me krejt përvojën time politike pres që t’i kaloj testet. Testi i fundit ka qenë në fillim të shtatorit, dhe jam e bindur që e kam kaluar mbi 90 %. Gazeta ‘Koha Ditore’ nuk më ka konktakuar fare, më kanë pëerzier me diçka që s’ka të bëjë me siç shkruajnë marrëveshje PSD-AAK. Unë nuk jam anëtare e PSD-së”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka thënë se në konkursin në fjalë kanë aplikuar edhe aktivistë të Vetëvendosjes dhe se veçimi vetëm i emrit të saj bëhet me qëllime të caktuara.

“Zyrtarisht s’kam kurrfarë përgjigje, jam në pritje si krejt tjerët. Konkursi ka qenë për shërbim konsullor te MPJ. Dhjetëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë pjesë e këtij konkursi si unë, pse të veçohet veç emri im”, ka thënë Dërguti.

Ajo ka thënë se s’ka të bëjë asgjë me emërime politike dhe nuk është asgjë e kundërligjshme.

“Kanë qenë dy çështje të ndara, në shërbimin konsullor i cili shkon përmes konkursit dhe je staf i MPJ-së dhe emërimet politike të ambasadorëve dhe kjo s’ka të bëjë asgjë me emërimet e ambasadorit që janë emërime politike që natyrisht kjo nuk është e kundërligjshme”, ka shtuar Dërguti.

Komento: