A vendosi ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, sipas kërkesës së LVV-së dhe ministres Rizvanolli?

11:51 | 08 Shkurt 2022

Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, sipas kërkesës së LVV-së dhe ministres Rizvanolli.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar sot vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat për konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë. ZRrE ndryshoi vendimin pasi me rekomandimin paraprak ata kërkonin që çmimi i energjisë elektrike të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat. Propozimi ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave, dhe është miratuar në mënyrë unanime, shkruan Gazeta Express.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kWh. Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

Të njëjtin propozim sikur ky që e miratoi sot ZRrE e kishte edhe Ministria e Ekonomisë dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ministrja e Ekonomisë në komentet dërguar ZRrE-së propozonte që zgjerimin e brezit tarifor në 800 kilovat nga 600 kilovat që ishte propozuar më parë nga ZRrE.

Propozim tjetër i ME-së është shtimi i blloqeve tarifore dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1,000 kWh.

“Zgjerimi i brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600kWh në 800kWh, duke pasur në konsideratë efektivitetin e këtij mekanizimi në kushtet e mungesës së alternativave tjera të sigurimit të energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes nga një pjesë e konsumatorëve; ose Shtimin e numrit të blloqeve tarifore, që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1,000kËh”, njofton Rizvanolli.

Ndërkaq Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i pati propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat, mos të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.

Mimoza Kusari – Lila, shefe grupit parlamentar të LVV-së, në një konferencë për media patri deklaruar se grupi i dytë i konsumatorëve që shpenzojnë nga 800 deri në 1 mijë e 400 të kenë një rritje që do të përcaktohet edhe në bazë të subvencionimit të qeverisë.

“Blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat për orë, i cili mbulohet nga prodhimi i KEK-ut të mos ketë shtrenjtim të rrymës. Këtu përfshihet edhe subvencionimi i Qeverisë. Ky bllok tarifor përbën 63% të amvisërive në gjithë territorin e Kosovës. Blloku i dytë tarifor nga 800 deri 1400 kilovat të ketë një rritje e cila do të përcaktohet në bazë të subvencioni i Qeverisë dhe llogaritjet e ZRRE-së dhe përfshinë mbi 23% të amvisërive. Më propozimin tonë, dy të tretat e amvisërive kursehen. Blloku i tretë tarifor që do të përfshinte konsumatorët që shpenzojnë mbi 1400 kilovat”, u shpreh deputetja e LVV-së në një konferencë për media.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 17 janar 2022 pati propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Por sot ZRRE ka miratuar vendimin qe vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat.

Këto tarifa do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2023.

Komento: