
Shqipe Selimi ka vizituar sot bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin, në Hagë, ku po mbahet në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Me rastin e 28 Nëntorit, ajo ka publikuar një status në rrjetet sociale, përmes të cilit ka kujtuar edhe 29-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shqipe Selimi ka përmendur kontributin e Rexhep Selimit duke shkruar se ai së bashku me Mujë Krasniqin dhe Daut Haradinajn, u bë zëri i shqiptarëve që po luftonin për liri.
“Rexha u bë zëri i shqiptarëve që po luftonin për liri”, ka shkruar ajo.
Ajo ka theksuar se këtë ditë po e kujton me krenari edhe nga Haga, duke e cilësuar si një datë të rëndësishme të historisë shqiptare.
Në postimin e saj, Shqipe Selimi ka ndërlidhur 28 Nëntorin me figurat historike Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Adem Jashari.

Në fund të mesazhit, ajo ka përfunduar me tri thirrje: “Rroftë 28 Nëntori! Rroftë UÇK-ja! Rroftë kombi shqiptar!”