Aleanca kërkon që Kurti të thirret në interpelancë për Dialogun strategjik me SHBA-në

13:23 | 23 Nëntor 2026

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka bërë të ditur se seanca e radhës parlamentare do të mbahet të enjten, ndërsa pritet të trajtohen dy seanca me pika të ndryshme të rendit të ditës.

Tahiri ka njoftuar se interpelanca e kërkuar nga Aleanca për kryeministrin Albin Kurti, lidhur me dështimin e dialogut strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është shtyrë për seancën e radhës, pasi kryeministri Kurti nuk ndodhej në Kosovë këtë të enjte.

Ai ka theksuar se rikthimi i dialogut strategjik me SHBA-në është jetik për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e proceseve integruese dhe thellimin e marrëdhënieve me administratën amerikane.

“Qytetarë të Kosovës, seanca e radhës do të jetë të enjten. Do të jenë dy seanca: një seancë po i them ashtu e pikave, dhe një tjetër me disa pika të reja. Ne si grup parlamentar, pra Aleanca, kemi pasur një interpelancë për kryeministrin Kurti, që ndërlidhet me kërkesën tonë për të diskutuar dështimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë të enjte nuk ishte kryeministri Kurti në Kosovë dhe interpelanca u shty për seancën e radhës”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka vlerësuar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara duhet të jenë një prej prioriteteve kryesore shtetërore, duke paralajmëruar se mungesa e dialogut strategjik mund të ketë pasoja në proceset e rëndësishme për Kosovën, përfshirë anëtarësimin në NATO, njohjet e reja dhe angazhimin e administratës së presidentit amerikan Donald Trump.

“Ne e shohim jetike forcimin e subjektivitetit të Kosovës, forcimin e institucioneve tona, në rrafshin e brendshëm, por në veçanti në rrafshin e jashtëm, ndërtimin dhe rikthimin e dialogut strategjik Kosovë-Amerikë. Në qoftë se kjo nuk do të ndodhë, procesi integrues, në veçanti ai në NATO, procesi i njohjeve të reja, procesi i angazhimit të administratës Trump, mirëpo edhe marrëdhëniet Kosovë-Amerikë, realisht do të jenë bukur problematike”, ka thënë ai.

Tahiri ka bërë të ditur se interpelanca nuk ka të bëjë vetëm me kërkesën për rikthimin e dialogut strategjik, por edhe me nevojën për hartimin e një strategjie të mirëfilltë shtetërore për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, duke marrë parasysh zhvillimet e reja institucionale, përfshirë zgjedhjen e presidentes së re dhe funksionalizimin e Kuvendit, Kosova duhet të ketë një qasje të koordinuar dhe strategjike në raport me SHBA-në.

“Andaj, kjo interpelancë nënkupton, në radhë të parë, kërkesën për një punë shumë më të madhe në raport me rikthimin e dialogut strategjik Kosovë-Amerikë, por në të njëjtën kohë edhe ndërtimin e një strategjie shtetërore, tanimë duke e pasur presidenten e re, parlamentin funksional, një strategji të mirëfilltë, të cilat do të reflektojnë në këto marrëdhënie”, ka deklaruar Tahiri.

Një tjetër çështje që Tahiri ka bërë të ditur se është ngritur gjatë takimit, ka të bëjë me kërkesën për shkarkimin e Këshillit të Lartë për Përmirësimin e Shërbimit Civil.

Ai ka kritikuar procedurën dhe qasjen e ndjekur në këtë çështje, duke theksuar se administrata shtetërore nuk mund të trajtohet sikur të përfaqësohej vetëm nga një anëtar.

“Një çështje tjetër që e ngritëm në takim po ashtu ka të bëjë me kërkesën për shkarkimin e Këshillit të Lartë për Përmirësimin e Shërbimit Civil. Procedura është e gabuar, qasja është e gabuar. Administrata e shtetit nuk është me një anëtar”, ka theksuar Tahiri.

Komento: