Arrestimi i të dyshuarit në veri, reagon Presidenca: Komunitetet mund t’i besojnë policisë, banditët e Radojçiqit do të sillen para drejtësisë

20:00 | 01 Prill 2023

Blerim Vela, shef i Stafit të Kabinetit të Presidencës ka bërë një reagim pas arrestimit të të dyshuarit për djegien e veturave në veri, duke thënë se i dyshuari është person me histori kriminale.

Në postimin e bërë në Twitter, Vela thotë se komunitetet lokale në veri mund t’i besojnë Policisë së Kosovës.

Tutje ai shkroi se banditët e Radoiçiqit do të dalin paa drejtësisl për veprat e tyre kriminale.

“Një i dyshuar për djegien e veturave të serbëve vendas në veri të Kosovës është arrestuar nga Policia e Kosovës. Një person me histori të gjatë kriminale! Komunitetet lokale në veri të Kosovës mund t’i besojnë forcës policore multietnike. Banditë e Radoiçiqit do të dalin para drejtësisë për veprat e tyre kriminale”, shkroi Vela në Twitter.

Policia e Kosovës pasditen e sotme ka arrestuar një person si të dyshuar në djegien e veturave në veri.

Në njoftimin e bërë, thuhet se i dyshuari është një 36 vjeçar i nacionalitetit serb.

Policia gjithashtu njofton se i dyshuari ka qenë i përfshirë edhe në sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku dy prej tyre kishin pësuar plagë.

Komento: