
Mbrojtja me ankesa ndaj ZPS-së sa i përket nxjerrjes së materialeve.
Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ankua se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk po respekton afatet sa i përket nxjerrjes së materialeve, qoftë atyre provuese apo shfajësuese. Po ashtu, avokatët mbrojtës patën edhe ankesa lidhur me materialet që lidhen me dëshmitarët që Prokuroria mëton të ftojë në gjykim.
Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë më 15 dhjetor po mbahet konferenca e tetë statusore ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ata akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në konferencën e tetë statusore, të akuzuarit nuk po marrin pjesë fizikisht në Dhomat e Specializuara, por po e ndjekin atë përmes video-lidhjes.
Avokati Veselit, Ben Emmerson tha se deri më tani mbrojtja ka marrë 13,800 prova dhe më shumë se 11,000 prej tyre i kanë marrë pas afatit për nxjerrje të materialeve të 23 korrikut të këtij viti.
“Ky volum rritet gjithmonë para konferencave të ecurisë së çështjes. Sa ka materiale të tjera ka për t’u dhënë, që të kemi një ide se sa duhet të presim. A do të marrin një volum të madh të materialeve në janar?”, pyeti ai.
“Besoj që ndoshta do të na duhet shumë kohë në vitin e ardhshëm, vetëm për të lexuar një pjesë të materialeve”, tha mbrojtësi i Veselit.
Avokati i Selimit, David Young tha se ZPS-ja po vazhdon që të dërgojë materiale për dëshmitarët, por nuk po tregon se cilat materiale i përkasin cilit dëshmitarë. Deri më tani, mbrojtja, tha ai, ka pranuar mbi 200 pako materialesh për dëshmitarët.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së u ankua se sistemi ‘legal workflow’, ku ZPS-ja ndan me mbrojtjen provat që ka, nuk po funksionon si duhet.
Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së po ashtu thanë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vendosur që të mos përdor rreth 30,000 materiale, që fillimisht kishte thënë se janë materiale provuese, që avokatët do të mund të përdornin për të përgatitur mbrojtjen për klientët e tyre.
Po ashtu, mbrojtja u ankua për vonesa nga Prokuroria sa i përket nxjerrjes së materialeve shfajësuese.
“Ne i dimë që i kanë materialet shfajësuese, ne e dimë që i kanë nga burimet kompetente. Kur do t’i vijë fundi kësaj procedure sepse kështu po shtyhet procesi”, tha avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.
Ndërkaq, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftuan se besojnë që deri në afatin e 31 janarit të vitit të ardhshëm për nxjerrjen e materialeve. ZPS-ja tha se nga 11,300 materiale, 545 ende nuk janë përkthyer në shqip. Po ashtu, kjo zyre tha se po punon në krijimin e entiteteve për dëshmitarët e mbrojtur. Mbrojtja e mirëpriti krijimin e entiteteve apo rubrikave për informacionet rreth dëshmitarëve.